Futboll

Prapaskena/ Ronaldinjo u shit te Milani, se çonte Mesin në rrugë të keqe

Në vitin 2008 Barcelona bëri ndryshime të mëdha. Guardiola zëvendësoi Rajkardin në stol, ndërsa Ronaldinjo u largua nga “Camp Nou” dhe skenën e mori përfundimisht Lionel Mesi. Gjithçka kishte ndryshuar pak kohë më parë, ditën kur Barcelona B luajti një miqësore me skuadrën e Rajkard.

Sipas asaj që raporton “Daily Mail”, kjo ndeshje ishte e destinuar të ndryshonte fatin e shumë personave. Djemtë e Guardiolës që në atë kohë luanin në Segunda B (kategoria e dytë), i nervozuan keq titullarët, me Dekon jashtë forme dhe Ronaldinjon të zëvendësuar pas pak minutash. Mjaftueshëm për të kuptuar se skuadra kishte nevojë për një revolucion. Një koncept i shprehur nga presidenti Laporta dhe që nisi menjëherë.

Përveç ndryshimit në stol, erdhën edhe dy lamtumira të papritura te katalanasit. Deko kaloi te Çelsi, ndërsa Ronaldinjo u transferua në Serinë A. Gjithçka u bë që braziliani të mos krijonte probleme në zhvillimin futbollistik dhe mbi të gjitha në personalitetin e Leo Mesit, i cili ishte ende në rritje e sipër.

Ronaldinjo dhe Mesi festojnë një gol. Gazeta Si, 27 maj 2020

Sipas “Daily Mail”, në atë kohë Ronaldinjo kishte filluar të mos e merrte shumë seriozisht stërvitjen dhe të dilte shpesh gjatë natës për të pirë alkool, duke rënë jo pak nga forma. Një situatë që “Mundo Deportivo” e kishte evidentuar dhe në një numër faqja e parë i kushtohej pikërisht brazilianit “me barkun me birrë”.

Frika e drejtuesve të Barcelonës ishte se Mesi, duke qenë komshi me Ronaldinjon në Casteldefels, do të influencohej shumë nga shoku i skuadrës dhe nuk do të kishte një sjellje profesionale. Dhe kur Laporta vendosi t’ia besonte drejtimin e skuadrës Guardiolës, koha e brazilianit te Bercelona kishte përfunduar. Një pikë kthesë për Barcelonën, por edhe për futbollin në përgjithësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë