Politike

Pranuan Xhaferllarin, PS hakmerret për buxhetin e Kushtetueses

Parlamenti po shqyrton buxhetin e shtetit për vitin 2020 dhe në komisionin e Ligjeve ishte radha e përballjes së shifrave dhe të “orekseve” të institucioneve të drejtësisë për rritjen fondesh. Paraqitja e Gjykatës Kushtetuese u prit me interes për faktin se ky institucion ishte në qendër të vëmendjes sa i përket plotësimit të vakancave me anëtarë, ku përplasja më e madhe ka qenë për emërimin e Marsida Xhaferllarit dhe të Arta Vorpsit.

Mazhoranca kërkon që Vorpsi të njihet si anëtarë e Gjykatës, por ky institucion me anë të një deklarate njohur pikërisht personin që u dekretua nga Meta, Xhaferllarin.


Në diskutimin e buxhetit ishte i pranishëm sekretari i Pëgjithshëm, Eugen Papandile kërkoi më tepër fonde për Gjykatën Kushtetuese, duke u ankuar edhe për faktin se tërmeti i rënë në 21 shtator ka dëmtuar godinën e këtij institucioni që ndodhet në të njëjtën vend me Parlamentin. “Jemi të njëjtin objekt, por nuk trajtohemi njësoj. Kushtet janë të papërshtatshme, unë nuk ju solla fotot nga zyra, por edhe për godinën e amortizuar të Gjykatës, situata e të cilës është rënduar më tej pas tërmeteve. Duhet të kemi parasysh edhe faktin se Gjykata Kushtetuese po plotësohen me anëtarë”, tha Papandile.

Papandile në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar të Ligjeve. Gazeta Si 18 nëntor 2019


Sipas tij, Kushtetuesja për vitin 2020 ka pasur kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Financave. “Po fillojmë me zhgënjimin që kemi për buxhetin e 2020, është ulur nga tavani i dakordësuar 3 mln lekë të reja. Janë hequr nga shpenzimet operative. Sa i përket investimeve. Është një kërkesë shumë e vjetër që nuk është marrë parasysh. Kemi kërkuar rikonstruksion dhe nuk është miratuar kërkesa. Mbledhja e gjyqtarëve në 2017 ka miratuar 72 punonjës, jemi 62 sepse 10 të tjerë që kemi kërkuar nuk janë miratuar. Kjo do të ndikojë në keqfunksionimin e gjykatës duke marrë parasysh fluksin që do ketë gjykata. Nuk është miratuar dhe parku i makinave”, theksoi Papandile.
Por deputeti i PS-së, Bashkim Fino doli kundër këtyre propozimeve. “Po të banalizosh investimet, në 2019 kishit 4 milion investime, keni realizuar 0.2%. Por Ministria e Financave u jep dhe 4 milion lekë të reja për 2020. Pse ja jep një institucioni kur nuk është efektiv për të bërë investimin? Duhet të bëni një analizë financiare. Ministria e Financave është treguar dorëlëshuar, nuk duhet t'u jepte fare. Shifrat për Gjykatën Kushtetuese janë shumë të sakta, shumë të drejta dhe me rritje” theksoi socialisti. Ndërsa deputeti i opozitës, Andi Përmeti nuk ngurroi të ironizonte faktin se kë ka llogaritur Gjykata si anëtare, Xhaferllarin apo Vorpsin. “Keni dy punonjëse për të njëjtin vend. A keni kërkuar buxhet shtesë? Se duhet të keni dy karrige, dy kompiutera. Refuzoni këtë turp dhe luftë politike të dy personave për të kapur drejtësinë. Jemi në një absurditet që edhe Albert Kamy do ta kishte zili”, iu drejtua deputeti i opozitës.
Sekretari i Përgjithshëm, iu kundërpërgjigj se buxheti bëhet për 9 anëtarë dhe jo për anëtarë të veçantë. “Unë kam ardhur për buxhetin. Ftesa më ka ardhur për buxhetin e shtetit dhe Gjykatës Kushtetuese. E shikoj se Gjykata Kushtetuese mbetet opozitë gjithmonë jo për shkaqe politike, por buxheti. Zoti Fino investimet janë kryer 100%. Atë 4 milionëshin modest. Nëse ne nuk kemi dhe nuk meritojmë investime në rregull. Mendoj se e kemi shumë të nevojshme, harrova t'ju bëj foto nga zyrat e plasaritura”, theksoi Papandili.
Në komisionin e Ligjeve kërkesa për shtesa fondesh pati edhe nga kryetarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kreu i KLGJ, Naureda Llagami kërkoi shtim fondesh në investime dhe për realizimin e shpenzimeve korrente. Por, socialistët i pranuan vetëm kërkesën që fondi prej 25 milionë lekësh për mirëmbajtje të arkivave, t’i hiqet Ministrisë së Drejtësisë dhe t’i kalojë KLGJ për mirëmbajtjen e sistemit. “Ky është institucioni më rëndësishëm totali i shpenzimeve që në parashikojnë 46,34% më shumë se sa viti 2019, investimeve në 2020 në raport me 2019, është 40.74% më shumë, pra janë dyfishi”, tha relatori Fino.
Ndërsa komisioni i Ligjeve ka hedhur poshtë kërkesën e Gent Ibrahimit për shtim numri të punonjësish si sekretarë, 6 shoferë dhe sanitarë, duke i cilësuar të parealizueshme. “Nuk mund të shtojmë fonde, se numri i punonjësve është unik është ndryshuar një herë dhe nuk mund të ndryshohet sërish”, theksoi Fino. Por Ibrahimi u shpreh se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe se duhej t'i jepet statusi i anëtarëve si gjyqtarë dhe duhen pranuar kërkesa për gjyqtarë. Por Fino replikoi duke shtuar se këto privilegje nuk i kanë as deputetët. "Me duhet pak asburde kjo, nëse më thua se nuk e ushtroj detyrën se më duhen 2 anëtare, kjo është shumë banale ta thuash. Kërkesa për shtim punonjësish të shihet në muajt në vijim", theksoi Fino.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë