Politike

Qeveria vijon sulmet ndaj Xhaferllarit, Braçe: Ka një të shkuar të errët

Mazhoranca vazhdon të sulmojë të dekretuaren nga presidenti Meta si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Zëvendëskryeministri Erjon Braçe me anë të një postimi thekson se Meta nuk e ushtroi detyrën e tij brenda afateve ligjore për të zgjedhur anëtarin e kësaj gjykate.
“Për gjykatësen Marsida Xhaferllari, “ulërijnë” disa fakte: E para, presidenti ka refuzuar të emëroje brenda afateve të përcaktuara në ligj, një nga tre kandidatët për gjykatës të renditur të paret nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi-institucioni unik, i pavarur e kushtetues i ngarkuar nga Kushtetuta për të bërë këtë. E dyta, presidenti ka emëruar gjykatëse zonjën e renditur e katërta, tërësisht jashtë treshes së parë të përcaktuar nga Kushtetuta e ligji si renditja nga duhet të emërohet gjyqtari. E treta, zonja Xhaferrllari është në një lidhje politike varësie tepër të qartë, ulëritëse”, shkruan Braçe.
Numri dy i qeverisë, arsye të katërt rendit atë, që sipas tij, “zonja Xhaferllari ka një të shkuar të errët në krye të Drejtësisë së Vjetër, në një rol kyç ku është dëshmuar paaftësi e mungesë e qartë veprimi, për shkak të varësisë politike, kundër, ndaj fenomeneve kriminale në drejtësi, provuar botërisht kjo. Kaq, flet shumë qartë edhe për këtë emërim të Presidentit”.


Pra në kushtet e refuzimit nga presidenti të emërimit në kohë e në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin të njërit prej gjykatësve listuar ligjërisht nga KED, për PS-në, instrumenti kushtetues zhbllokues aktivizuar automatikisht, ka detyruar KED të emërojë gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese, zonjën Arta Vorpsi. Sipas Braçes, për gjykatësen Arta Vorpsi, s’ka asnjë kontestim lidhur me figurën e saj, përfshirjen në lidhje politike, korruptive, kriminale varësie, pasuri të paligjshme. Ndërsa nuk harron të përmend faktin se Besnik Muçi, anëtari i dekretuar po nga presidenti Meta, nuk e ka kaluar procesin vettingut. Numri dy i qeverisë thekson se dy anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji të zgjedhur me 105 vota nuk kanë asnjë kontestim, asnjë akuzë për lidhje politike varësie, lidhje korruptive varësie, pasuri të paligjshme, aktivitet të mëparshëm në dëm të drejtësisë.
Për dekretin e Xhaferllarit pati edhe një reagim të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili u shpreh se “Presidenti në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur”. Ndërsa thekson se “Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatëse se nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë