Lajme

“Prania e Eleni Theocharous në PE është e turpshme”

“Prania e një eurodeputeteje si qipriotja Eleni Theocharous në Parlamentin Evropian është e turpshme”, do të deklaronte në 5 tetor për agjencinë e lajmeve Trend, Vugar Rahimzade, i cili është anëtari i këshillit politik të Partisë “Azerbajxhani i Ri”, njëherazi edhe kryeredaktor i gazetës “Iki Sahil”.

“Përkrahja e regjimit separatist në Nagorni-Karabakh nga anëtarja e Parlamentit Evropian Eleni Theocharous, e cila inkurajon separatizmin e përgjakshëm dhe spastrimin etnik, është tregues i standardeve të dyshimta”, thotë Rahimzade për eurodeputeten që u shpall “non grata” edhe nga qeveria shqiptare, pas ngjarjeve në Bularat të Gjirokastrës.

Por Eleni Theocharous është një person që nuk gëzon simpati edhe në vende të tjera. E para ndër këto vende është natyrisht Turqia. Në nëntor të viti të shkuar, eurodeputetja Theocharous do të nistë një fushatë të ashpër brenda Parlamentit Evropian kundër asaj që konsideronte “mbështetje të fuqishme që Turqia i jep Shtetit Islamik (ISIS)”. Ajo propozoi një sërë masash ekstreme (që mbetën vetëm në letër) ndaj Ankarasë zyrtare, të cilat natysisht nuk i bënë të lumtura autoritetet e qeverisë së Rexhep Taip Erdogan. Në fakt, qëndrimet anti-turke të eurodeputetes Theocharous janë më të hershme, pasi ajo njihet si një kritizere e ashpër ndaj gjenocidit turk ndaj armenëve dhe ndaj mosnjohjes së këtij gjenocidi nga Turqia.

Politikani dhe gaazetari azer, Rahimzade shprehet se prania e saj në Parlamentin Evropian është e turpshme. “Është një shembull i padrejtësisë dhe standardeve të dyshimtë të Parlamentit Evropian në lidhje me disa vende. Pa dyshim, ky është një nga faktorët që tregon personalitetin e këtyre deputetëve, natyrën e tyre të vërtetë”, shtoi  Rahimzade. “Në shumë raste, këta janë njerëzit që punojnë së bashku me qarqet anti-Azerbaixhan. Këta njerëz, bashkë me pikëpamjet e tyre personale, mbajnë mbi vete edhe urdhërat e dikujt tjetër. Prania e këtyre njerëzve në Parlamentin Evropian është një çështje që duhet rishikuar. Nëse Parlamenti Evropian flet për drejtësi, demokraci, sundimin e ligjit, atëherë ai duhet ta shohë këtë çështje”, shprehet Rahimzade.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë