Politike

Pragzgjedhjesh, Athina shton dozën e kërcënimeve: Ju bllokojmë negociatat

Me shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Greqi, zërat kërcënues për bllokimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë janë shtuar, madje atyre u është bashkuar edhe vetë Kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

Tsipras nënkuptoi se Shqipëria nuk ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian, sidomos ato që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave dhe pronës së minoritetit. Gjuha e drejtpërdrejtë e Kryeministrit grek mbërrin në prag të atmosferës zgjedhore.

Sa herë që ka zgjedhje në vendin fqinj, Shqipëria, minoriteti grek dhe emigrantët shqiptarë në Greqi janë temat më të diskutuara dhe preferuara nga politikanët grekë të të dyja kaheve, por sidomos nga ekstremistët dhe forcat konservatore.

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e Parlamentit Europian dhe për zgjedhjet vendore, Qirjakos Mitsotaqis qortoi marrëveshjen për çështjen e emrit me Maqedoninë e Veriut dhe e cilësoi të gabuar dhe të dobët qëndrimin e Kryeministrit Tsipras përballë Shqipërisë sa i takon integrimit. Mitsotaqis paralajmëroi se me të ardhur në pushtet do të vendoste veton e Athinës ndaj vendit tonë nëse nuk respektonte të drejtat e minoritetit.

Gjuha e ashpër dhe në kufijtë e ekstremizmit rezultoi një strategji e goditur për Demokracinë e Re, e cila doli forcë e parë në zgjedhjet për Parlamentit Europian, si dhe e mposhti Syrizan e Aleksis Tsipras edhe në betejën për zgjedhjet lokale.

Fitorja e dyfishtë e Demokracisë së Re dhe sondazhet e deritanishme që nuk e tregojnë fitues, duket se kushtëzojnë gjuhën e Aleksis Tsipras sa i takon qëndrimit me fqinjët. Me nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës, Maqedonia mund të konsiderohet një kapitull i mbyllur, për të cilin nuk ka më shkas për t’i bllokuar integrimin.

Nisur nga kjo, i gjithë debati elektoral sa i takon politikës së jashtme greke pritet të përqendrohet tek Shqipëria. Me marrëveshjen e detit dhe marrëveshjet e tjera të paketës Kotzias-Bushati të mbetura pezull dhe me pakënaqësitë për minoritetin, fronti shqiptar i ofron klasës politike greke material të bollshëm për t’u keqpërdorur për qëllime elektorale.

Si ndryshoi qëndrimi i Qeverisë Tsipras?

Pasditen e së enjtes, Ministria e Jashtme greke doli me një deklaratë kërcënuese ku nënkupton bllokimin e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë nëse nuk plotësohen kushtet për minoritetin grek që jeton në Shqipëri.

Greqia thotë se ky është njëri prej pesë kushteve të vendosura nga Brukseli për vendin tonë dhe në këndvështrimin e saj, ky kusht nuk është plotësuar. Athina zyrtare vëren si problematike çështjen e pronave, por sheh me shqetësim edhe rastin e Fredi Belerit.

Ministria e Jashtme greke kujton me nota shantazhi se jo vetëm rruga e hapjes së negociatave, por e gjithë rruga e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian kalon nga Athina dhe e vetmja mundësi që të japë miratimin e saj është plotësimi i kërkesave të saj për Himarën.

Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë

Dy janë çështjet kryesore për të cilat është më fort e shqetësuar Greqia. Së pari është vetëdeklarimi i minoritetit grek në të gjithë territorin e Shqipërisë. Për këtë, Ministria e Jashtme thotë se Shqipëria ishte zotuar ta përmbushte që në maj të 2018. Shqetësimi i dytë kryesor lidhet me pronat. Greqia kërkon ligjin për pronat, që sipas saj do t’u jepte anëtarëve të minoritetit të drejtën e titujve për pronat që zotërojnë.

Sa i takon të drejtës së pronësisë, Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka reaguar fillimisht që në muajin mars. Atëherë, Qeveria shqiptare sapo kishte kaluar një vendim që ngrinte dhënien e titujve të pronësisë në bregdet, në kuadër të strategjisë kombëtare të zhvillimit të turizmit. Por, në Greqi ky vendim u interpretua si goditje ndaj minoritetit dhe shpronësimin e tyre.

Ashpërsimi i toneve mbërrin pesë javë nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe në kuadër të këtyre zgjedhjeve interpretohet edhe si përpjekje për të maksimalizuar votat, duke tërhequr drejt vetes edhe ekstremistët, apo pjesën e qytetarëve që e kanë qortuar vazhdimisht për qëndrime të buta ndaj Shqipërisë, madje edhe për lëshimë, që në çështjen e detit, e deri tek paketa e bisedimeve.

Qëndrimi i kabinetit të Aleksis Tsipras i përafrohet atij të Demokracisë së Re të Qirjakos Mitsotaqis. Ky i fundit ka qenë një ndër zërat më të ashpër si kundër bisedimeve me Shqipërinë për çështjen e kufirit detar, ashtu edhe për marrëveshjen e Prespës për çështjen e emrit me Maqedoninë.

Mitsotaqis thotë se Greqia duhet të ushtrojë të drejtën e vetos ndaj Shqipërisë, deri kur kjo e fundit të plotësojë kërkesat për Himarën dhe minoritetin grek në Shqipëri, ndërkohë që Tsipras deri më tani e kishte kundërshtuar këtë, duke deklaruar se vetoja ndaj Shqipërisë dëmtonte edhe vetë Greqinë.

Megjithëse të ashpër si qëndrim, Demokracia e Re ‘konsiderohet’ si e moderuar në krahasim me thirrjet e Agimit të Artë. Ekstremistët grekë kërkojnë që nga autonomia për atë që e quajnë “Vorio-Epir”, e deri tek heqja e lejeve të punës për emigrantët shqiptarë në Greqi.

Rasti Beleri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndaloi kandidimin e Fredi Belerit si kandidat i pavarur për Bashkinë e Himarës. Beleri ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ndaj tij rëndon një vendim i drejtësisë shqiptare që e ka dënuar me 3 vite burg për nxitje të urrejtjes ndëretnike dhe përdhosje të simboleve kombëtare. Por, për Athinën vendimi është i padrejtë dhe pa asnjë bazë ligjore.

“Kohët e fundit po shohim metoda të dënueshme, të cilat çuan në anulimin e kandidaturës së kryetarit të OMONIA-ss së Himarës, Fredi Beleri në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen së shpejti. Këto veprime ndalojnë të drejtën legjitime të përfaqësimit të minoritetit grek në Himarë. Ftojmë Shqipërinë të kthehet në trajektoren e ecjes përpara dhe jo të bëjë hapa pas, në mënyrë që të avancojë në rrugën e saj të integrimit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.

Pak orë pas kësaj deklarate me tone kërcënuese, ka reaguar edhe organizata OMONIA. Ajo thotë në deklaratë se edhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor është në vazhdën e vendimit abuziv të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që i mohoi të drejtën për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur Fredi Belerit.

Kjo organizatë e cilëson abuziv vendimi dhe arsyetimin e lidh me aktivizimin e Fredi Belerit në mbrojtjen e të drejtës së pronës së minoritarëve grekë.

“Kandidati në fjalë është pjesëmarrës i forumeve drejtuese të OMONOIA-s dhe për këtë arsye pjesëtar i gjithë betejave të komunitetit lokal në një sërë çështjesh që lidhen si me të drejta themelore sikundër ajo e sanksionimit të pasurisë së paluajtshme private si edhe me të drejta që rrjedhin nga natyra e banorëve si pjesëtarë të minoritetit grek me më të rëndësishmen prej tyre atë të vetëdeklarimit dhe vetëpërcaktimit të identitetit etnik”, thuhet në deklaratë.

KQZ dhe Kolegji Zgjedhor refuzuan kandidaturën e Fredi Belerit në bazë të dënimit që u dha nga drejtësia shqiptare për ngjarjet e ndodhura në 2003 në një qendër votimi në Himarë, ku Beleri ishte pjesë e një grupi personash që prishën procesin zgjedhor dhe hoqën nga qendra e votimit simbolet kombëtare shqiptare.

Vetë Fredi Beleri i ka mohuar akuzat dhe e çoi çështjen deri në Strasburg. Edhe Strasburgu i dha të drejtë vendimit të palës shqiptare. Megjithatë, Fredi Beleri nuk kreu asnjë ditë në qeli, ndërkohë që së fundmi, ndaj tij është rihapur edhe dosja e Masakrës së Peshkëpisë. Ai u mor në pyetje nga Prokurorët e Krimeve të Rënda dhe në dalje të seancës mohoi sërish përfshirjen e tij në sulmin terrorist ndaj repartit të rekrutëve ushtarakë shqiptarë në fshatin Peshkëpi në 10 prill të 1994, ku humbën jetën 2 ushtarë dhe u plagosën disa të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë