Mes Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane kartat tashmë janë të hapura. Dhe Fatmir Mediu nuk nguron t’ia tregojë publikisht Lulzim Bashës forcën që PR-ja mund të ketë në zgjedhje.
Duke filluar nga Shkodra ku ai prezantoi kandidatët e saj për deputet, për t’i thënë Bashës se atij i duhen edhe votat e PR-së për të marrë një mandat deputeti më shumë.
“Partia Republikane në vitin 2013 në Shkodër, për 40 vota nuk ka marrë mandatin e deputetit.
Pyetja është e thjeshtë. A i duhen Partisë Demokratike 4,800 votat e Partisë Republikane?
Unë mendoj që po të bëjmë një aritmetikë të thjeshtë, patjetër i duhen, se në 2017 humbëm dhe 4000 vota të tjera.
Pra duhet të shtojmë për të marrë mandatin e pestë edhe 4000 të tjera. Atëherë si mund të përjashtojmë nga procesi kandidimin e njerëzve të Partisë Republikane”, tha Mediu gjatë takimit të PR-së në Shkodër.
Kryerepublikani nënvizoi sërish se PD-së i ka kërkuar “hakun”.
“Ajo që i kemi kërkuar Partisë Demokratike është e tillë; të dashur miq le të vendosim disa kritere, kritere të cilat janë të barasvlefshme për Partinë Demokratike, për Partinë Demokristiane, për Partinë e të Drejtave të Njeriut , për partinë came dhe të gjithë partive që janë në koalicion, sepse një transparencë dhe kritere të barabarta, ndërtojnë një raport të drejtë, në mënyrë që dhe votat e Partisë Republikane në Kukës, në Dibër, në Gjirokastër, apo në çdo rreth, t`i shtohen Partisë Demokratike dhe në këtë rast interesi është i Partisë Demokratike.
Por si mund të shtohen votat e Partisë Republikane, në qoftë se Partia Republikane përjashtohet nga mundësia e kandidimit në Shkodër.
Nuk kërkuam privilegj, as zonë të lirë, por po kërkojmë njerëz që të kontribuojnë në fitoren e opozitës.
Prandaj të bashkohemi në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë në dt 25 Prill për ta rikthyer vendin në rrugën dhe vlerat europiane”, tha ai
.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.