Politike

PR çon në Kushtetuese Komitetin Teknik: Po vepron me dy standarde për grumbullimet

Partia Republikane ka një shqetësim zyrtar dhe publik lidhur me sjelljen e Komitetit të Ekspertëve, që sipas saj, po vepron me dy standarde, pasi në njërën anë lejon punimet e Kuvendit, dhe në anën tjetër ndalon grumbullimet e 10 apo më shumë personave.

“Kushtetuta është shkruar për të kufizuar autoritetin dhe abuzimin e qeverisë, dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve, liritë e tyre personale, liritë politike dhe liritë fetare. Kushtetuta duhet t`i garantojë ato dhe në momentin e cënimit, në rastet emergjente, duhet të ketë një ndërhyrje në mënyrë proporcionale dhe ajo duhet të garantojë përsëri barazinë përballë ligjit.

Ne  shohim, standard krejt tjetër konkretisht me qeverinë, me Parlamentin, me institucionet e lidhura me qeverinë, duket qartësisht një pabarazi në aktivitetin politik të qeverisë, të instrumenteve që ka qeveria, të institucioneve që ka qeveria, të pushtetit qendror, të pushtetit lokal, të Parlamentit, në raport me opozitën dhe aktivitetin e saj politik”, thuhet në deklaratën e PR.

Në prag të fushatës elektorale, sot, sipas PR-së, po imponohet  pamundësia për të zhvilluar aktivitet politik.

“Rasti me letrën e kryetarit të Kuvendit dhe kthimi i përgjigjes nga zv/ministrja është rasti më flagrant, ku i thotë partive politike që nuk mund të bëni aktivitet politik, dhe nga ana tjetër i thotë kryetarit të Kuvendit, ju mund të zhvilloni sa herë të doni seancë, mjafton që të respektoni disa rregulla.

Pyetja është; Pse Parlamenti dhe kryetari i Parlamentit, apo deputetët, duhet të zbatojnë disa rregulla dhe qytetarët shqiptarë duhet të zbatojnë disa rregulla të tjera?

Si kryetari i Parlamentit, si deputetët, si partitë politike, qytetarët përballë ligjit dhe përballë Kushtetutës janë të barabartë. Pra cenimi duhet të jetë i tillë që duhet të efektojë  në mënyrë të barabartë gjithësecilin”, thuhet në deklaratën e PR.

PR argumenton se do ta  çojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë