Arsim

Pr/buxheti për arsimin fokusohet tek rritja e pagave, Braçe: Na duhen mjekë sportivë se s’kemi (nxitur nga rasti Duamena)

Nga Gazeta Si- Mbi 56 miliardë lekë janë parashikuar për sistemin e arsimit për vitin 2024. Në seancën dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se ky buxhet do të përqendrohet në rritjen e pagave të mësuesve të arsimit parauniversitar.

“Këtë vit parashikohet të ketë një rritje të pagës së mësuesit. Mbështetja buxhetore do të nisë në korrik. Nuk mund të themi me përpikmëri se sa do jetë rritja por mesatarja do të kalojë 90 mijë lekë në muaj si pagë, ndërkohë do të kemi rritje për të tjerët si punonjësit socialë”, tha Manastirliu.

Gjithashtu me këtë buxhet do të mbështetet dhe shtimi i numrit të mësuesve ndihmës por dhe psikologëve dhe oficerëve të sigurisë në shkolla.

“Gjithashtu parashikohet të ketë rritje të numrit të mësuesve ndihmës. 100 mësues ndihmës për vitin e ri shkollor. 880 punonjës psikolosocial, 220 oficerë të sigurisë. Gjithashtu mbështetet financimi i  transportit të nxënësve dhe mësuesve që kanë banimin larg shkollave”, tha ministrja.

Ndërkohë, deputeti socialist Erion Braçe propozon dhe vendosjen e sistemeve të paneleve fotovoltaike nëpër shkolla dhe mbështetjen e ndërtimeve që i përfshijnë.

"Në projektet e rindërtimit të shkollave të kemi me patjetër sistemin e paneleve fotovoltaike. Ulim shpenzimet e bashkive që përgjigjen për faturën. Do të kërkoja që nga ky vit të mbështesim ato projekte që kanë të përfshirë dhe këtë sistem. Çmimet e paneleve fotovoltaike do të bien dhe në të ardhmen do të ishte shpenzimi më i dobishëm”

Braçe përmendi edhe vdekjen e futbollistit Raphael Duamena në Rrogozhinë, duke thënë se kjo ngjarje solli në vëmendje disa problematika që ka sportin në vendin tonë.

“Kjo tregon sa rrezik kemi në ambientet sportive. Po tentojmë të mësojmë fëmijët se sa i rëndësishëm është sporti e ndërkohë po u japim shembuj si vdekja e futbollistit. Në vendin tonë nuk ka mjekësi sportive dhe në Universitete nuk kemi as specializim në këtë aspekt. Do të duhet që në universitetin e sporteve ju si ministri të bini dakord që të hapni sa më shpejt e mundur profilin për mjekë sportivë”, tha Brace, duke shtuar se dhe në ekipe nuk ka mjekë sportivë e as protokoll mjekësor.

“Na duhet një protokoll mjekësor dhe nuk duhet të vonohemi për këtë. Çdo mjek skuadre ku ushtrohet sport duhet ta ketë me detyrim një defribilator që shpëton jetë. Duhet ta bëjmë të sigurt çdo ambient ku ushtrohet sport”, tha Braçe.

Ai i tha ministres së Arsimit dhe Sportit se duhet të vendosen rregulla që të zbatohen.

“Nuk ka asnjë pasion mbi jetën. Duhet t’ua impononi ju rregullat. Nëse klube sportive nuk e kanë prioritetin e tyre shëndetin, duhet ti detyrojmë ne ose ta paguajmë ne defribilatorin që shpëton jetën”, përfundoi Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë