Lajme

PPP e rrugëve, Tabaku: Deputetët e Parlamentit, kukulla të Ramës

Partia Demokratike vijon me akuzat ndaj qeverisë Rama për rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Ish-deputetja Jorida Tabaku në një dalje për mediat nga selia blu tha se deputetët e parlamentit treguan se janë thjesht kukulla të Ramës. “Votimi i djeshëm për dy ligje që i japin praktikisht 366 mln euro Agim dhe Ndue Kolës (ANK) si dhe Lorenc Gjikurisë, për projekte të pastudiuara dhe të fryra, nuk është vetëm një krim ndaj buxhetit, në të vërtetë vendimi i djeshëm është vrasja me borxh të panevojshëm i fëmijëve tanë.
Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë treguan dje se janë thjeshtë kukulla. Përndryshe ata nuk do të kishin votuar për të rrëzuar një dekret presidencial që shmangte jo ndërtimin e një rruge me rëndësi, por abuzimin me taksat e shqiptarëve”, u shpreh ish-deputetja Jorida Tabaku.
Tabaku tha se çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se vota e deputetëve që janë marionetat e oligarkëve do të ndikojë në rritjen e borxhit publik me 2,8%.
“Vota e deputetëve që janë marionetat e oligarkëve do të kushtojnë në total 370 mln euro, duke ndikuar në rritjen e borxhit publik me 2,8%. Kjo grabitje përmes një gjoja parlamenti, pa një Gjykatë Kushtetuese do të jetë përgjegjësi përpara e ligjit për këdo që bashkëpunon dhe mbi të gjitha do të mbajë përgjegjësi Rama, edhe pse po përdor parlamentin për mbrojtje”, deklaron ish-deputetja Tabaku.
Sipas saj, kontrata Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, do të jenë të parat që kalojnë në sitën e Ligjit Anti-Mafia dhe anti-oligarki që ka propozuar PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë