Politike

PPE rezolutë pro Belerit, Rama: Problemi nuk janë zgjedhjet e 14 majit, ka vendim gjykata!

Beteja për Belerin përfshin dhe Partitë Popullore Europiane. Asambleja Politike e PPE ka miratuar një rezolutë të paraqitur me ndërhyrjen e partisë greke, Nea Demokratia, e cila kërkon nga autoritetet shqiptare lejimin e betimit të Fredi Belerit.

Rezoluta kujton amendamentin e Raportit të vitit 2022 për Shqipërinë në lidhje me arrestimin nga autoritetet shqiptare të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, amendament i cili u votua me shumicë votash në muajin korrik në seancë plenare të Parlamentit Evropian. Gjatë asaj seance eurodeputetët kishin shprehur shqetësimin e tyre të fortë lidhur me arrestimin e Belerit nga autoritetet shqiptare në prag të zgjedhjeve vendore të majit dhe kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm. Gjithashtu, theksohet se autoritetet shqiptare kanë shkelur prezumimin e pafajësisë dhe kanë penguar kryebashkiakun e zgjedhur të marrë detyrën pasi ai mbetet i burgosur edhe sot e kësaj dite.

Rezoluta dënon veprimet e qeverisë shqiptare ndaj minoritarit grek, kryebashkiak i zgjedhur, si dhe “ndërhyrjen e drejtpërdrejtë” të saj në procesin zgjedhor, e cila është “kundër vlerave europiane”, ndërsa theksohet se “asnjë vend që tenton të bëhet anëtare e BE-së nuk mundet të veprojë në këtë mënyrë”.

Në të njëjtën kohë, theksohet se “mospërfillja flagrante e qeverisë shqiptare për shtetin e së drejtës, të drejtat themelore, të drejtat e minoritetit grek dhe mbi të gjitha acquis europiane krijon një vakum politik midis Shqipërisë dhe BE-së”. Rezoluta përfundon duke u kërkuar autoriteteve shqiptare të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve lokale të 14 majit, si dhe prezumimin e pafajësisë, si dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe administrative ose të tjera, për të siguruar betimin e Fredi Belerit, e cila siç nënvizohet nuk ka asnjë lidhje me procedimin e drejtësisë.

Reagimi i Ramës
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, që e cilëson këtë deklaratë që vjen për shkak të mos informimit si duhet nga ana e europarlamentarëve të djathtë.

“Interesante! “I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare”… Një thirrje pa specifikuar se cilat autoritete dhe, me siguri, pa u informuar se problemi në këtë rast nuk është rezultati i zgjedhjeve, por rezultati i gjykatave, të cilat tashmë e kanë refuzuar një kërkesë të tillë. Unë përdora "me siguri" sepse do të ishte vërtet tronditëse nëse Partia e madhe Popullore Evropiane do të miratonte një rezolutë të titulluar "Sundimi i Ligjit" për të kërkuar një rezultat të ndryshëm nga ai i vendosur nga Prokurori Special kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatat Speciale me të njëjtin emër. Këto institucione u krijuan me mbështetjen e plotë të BE-së dhe SHBA-së dhe ndihmohen nga afër nga SHBA dhe BE në punën e tyre mbresëlënëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thekson Rama në reagimin e tij.

Më tej ai shprehet se “nëse është e nevojshme, ne jemi më se të gatshëm t'i ofrojmë lidershipit shumë të respektuar të PPE-së informacion për këtë çështje në çdo format dhe në çdo kohë”. “Është pa dyshim që të gjitha autoritetet shqiptare presin shumë mbështetjen e vazhdueshme të PPE-së, si një zë i fortë i Evropës sonë gjatë kësaj faze historike ndryshimi për vendin tonë. Së fundi, rastet e profilit të lartë po hetohen tërësisht, duke kapërcyer përkatësitë politike dhe duke sinjalizuar fundin e një epoke të gjatë mosndëshkimi”, mbyll reagimin e tij Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë