Futboll

Pozitive edhe analizat e dyta të Pol Pogba, konfirmohet dopingu i francezit

Gazeta Si - Pol Pogba është zyrtarisht pozitiv ndaj testosteronit. Analizat e kampionit B, apo kundëranalizat siç quhen, kanë dalë pozitive. E njëjta gjë që kishte ndodhur në kontrollin e bërë pas ndeshjes Udineze-Juventus të 20 gushtit.

Në këtë pikë nis procesi sportiv, mesfushori ka të drejtë të merret në pyetje, ose të mbrohet ligjërisht. Objektivi është që të arrihet në konkluzionin se lojtari nuk kishte si qëllim të dopohej.

Në këtë rast do t’i takonte Prokurorisë antidoping të vendoste, nëse do të kërkojë arkivimin te Gjykata kombëtare antidoping, TNA-ja, apo ta marrë në shqyrtim çështjen e Pogba.

Në letër francezi rrezikon deri në 4 vite skualifikim, duke nisur minimumi nga dy, nëse vërtetohet se substanca e ndaluar është marrë pa vullnetin e lojtarit. Nëse Pogba vendos të bëjë një pakt, do të përfitonte një ulje prej 50%, duke shkuar kështu deri në 12 muaj.

Te Juventusi nuk kanë vendosur ende se çfarë qëndrimi do të mbajnë pas konfirmimit të pozitivitetit. Gjasat janë që klubi të pezullojë pagesën mujore të tij, por mund të kemi edhe një mbyllje të parakohshme të kontratës mes palëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë