Futboll

Pozitiv edhe trajneri i Vrionit, izolohet Juventusi U-23

Jo vetëm Kristiano Ronaldo. Në shtëpinë e Juventusit ka rezultuar pozitiv edhe trajneri i skuadrës së dytë bardhezi, Lamberto Xauli. Trajneri i Juventusit U-23, ku bën pjesë edhe sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Xhakomo Vrioni, ka kryer tamponin dhe ka dalë pozitiv, duke shtuar ankthin në shtëpinë e bardhezinjve.

"Në kuadrin e kontrolleve të parashikuara nga protokolli, - shkruhet një njoftimin zyrtar të klubit italian, - ka dalë pozitiv me Covid-19 trajneri i Juventusit U-23, Lamberto Xauli. Dhe sipas protokollit, lojtarët janë izoluar në banesat e tyre. Ata që janë negativë mund të stërviten rregullisht dhe të luajnë ndeshje zyrtare, por nuk mund të kenë kontakte me persona jashtë grupit. Klubi është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet sanitare kompetente".

Lamberto Xauli, trajneri i Juventusit U-23. Gazeta Si, 14 tetor 2020

Vrioni për momentin është i grumbulluar me Kombëtaren e Shqipërisë, për ndeshjen e sotme me Lituaninë. Kur të kthehet në Torino, edhe ai duhet të zbatojë rregullat strikte të protokollit, duke u izoluar në banesën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë