Shendet

Pothuajse gjysma e punonjësve europianë janë në rrezik të lartë të problemeve të shëndetit mendor

Një pushim veror është në horizont për shumë europianë por një pjesë e konsiderueshme po shkojnë në pushimet e tyre duke u ndjerë jashtëzakonisht të shqetësuar dhe të rraskapitur.

Pandemia e COVID-19, lufta në Ukrainë dhe tani kriza e kostos së jetesës po dëmtojnë moralin e punonjësve europianë në një mënyrë të paprecedentë, sipas një studimi të ri nga kompania e shërbimeve të mirëqenies LifeWorks.

Në një sondazh online në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Holandë dhe Poloni gati gjysma e pjesmarrësve (më shumë se 500) thanë se ishin më të ndjeshëm ndaj stresit sesa para pandemisë.

Dhe një e treta thanë se shëndeti i tyre mendor po ndikonte negativisht në produktivitetin e tyre.

Në përgjithësi, 41 për qind e të anketuarve nga LifeWorks u konsideruan në rrezik të lartë për të pasur përfundimisht një çrregullim të shëndetit mendor, si ankthi dhe depresioni i diagnostikuar.

Kjo është gati trefishi i përqindjes së gjetur në sondazhet e kryera në 2017-2019, përpara pandemisë.

"Kjo periudhë kohore do të jetë e rëndësishme në histori, mendoj unë, për trazirat e pamëshirshme që po kalojnë popullatat", tha udhëheqësja globale e kërkimit të LifeWorks, Paula Allen.

“Kur mendon për atë që kanë kaluar europianët gjatë kohës së fundit, ju me të vërtetë kuptoni pse ndodhi kjo. Ne patëm pandemi, ndikimin ekonomik të pandemisë, izolimin e shtuar, ndjenjën e humbjes së kontrollit”, tha ajo.

“Dhe atëherë kur filluam të shihnim fundin e dritës në fund të tunelit, u shfaq lufta në Ukrainë”.

Të rinjtë, gratë, prindërit dhe ata me të ardhura më të ulëta janë duke luftuar më shumë, thuhet në raport. Lidhja midis të ardhurave dhe shëndetit mendor është "shumë e fortë", tha Allen.

Tani punonjësit europianë kanë gjithashtu ankthin për inflacionin e lartë dhe frikën se nuk mund të ia dalin dot, tha ajo.

Më shumë se një e treta e të anketuarve thanë se nuk kanë kursime emergjente për t'u mbështetur.

Bazuar në sondazhin, i cili shqyrtoi nivelet e stresit, ankthit, depresionit dhe izolimit midis faktorëve të tjerë, rezultati më i ulët i shëndetit mendor u gjet në Poloni (53.6), i ndjekur nga Spanja (57.1), Franca (57.4), Italia (58.4), Gjermania (62.3) dhe Holanda (67.9).

Më shumë se gjysma e të gjithë të anketuarve vunë re se kolegët e tyre ishin gjithashtu më të ndjeshëm ndaj stresit sesa para pandemisë. Kjo nxjerr në pah më shumë tensione në vendin e punës.

Një e treta e pjesëmarrësve në anketë raportuan se shpesh ndiheshin vetëm.

Kjo ndjenjë izolimi ishte më e larta në Francë, duke arritur në 40 për qind të punëtorëve, e ndjekur nga 39 për qind në Poloni, 37 për qind në Spanjë, 35 për qind në Itali dhe 28 për qind në Gjermani.

Ky izolim nuk është vetëm i keq për mendjen tonë, por është gjithashtu i keq për trupin tonë. Hulumtimet sugjerojnë se i vë njerëzit në një rrezik më të lartë të problemeve kardiovaskulare dhe çrregullimeve të sistemit imunitar dhe në mënyrë tinëzare po bëhet normalja e re, paralajmëroi Allen.

“Ne jemi mësuar që botët tona të jenë më të vogla gjatë këtyre dy viteve të fundit dhe shumë njerëz në fakt po ndiejnë se kjo është në rregull”, tha ajo, duke theksuar se kjo nuk është një gjë e mirë për shëndetin tonë mendor.

“Ne kemi teknologji, kemi aftësinë të jetojmë vetë dhe të punojmë nga shtëpia. Mund të ndihemi rehat tani, por nuk është mirë për mendjet tona të mos e kemi atë marrëdhënie shoqërore”, tha Allen.

Një studim i veçantë nga studiues në Universitetin e Bostonit dhe Universitetin e Canterbury-t ka zbuluar se punonjësit në distancë që raportojnë më shumë ndjenja të vetmisë mendojnë të largohen nga puna më shpesh sesa punonjësit "më pak të vetmuar".

Më shumë se 1000 punonjës në distancë u anketuan për atë studim.

Ai zbuloi se punonjësit më të vetmuar ishin ata që punonin nga shtëpia, ndërsa ata që ndiheshin më të përmbushur dhe të lidhur me njerëzit e tjerë ishin ata që përdornin hapësirat e bashkëpunimit.

Çfarë mund të bëjnë kompanitë?

Një gjetje pozitive nga studimi i LifeËorks është se shumica e të anketuarve, 63 përqind thanë se kishin gjasa të kërkonin ndihmë profesionale nëse luftojnë me stresin ose një problem të shëndetit mendor. Dhe më shumë se tre të katërtat u ndjenë optimistë për të ardhmen.

“Bizneset mund dhe duhet të ndihmojnë punonjësit e tyre të përballojnë këtë stuhi të shëndetit mendor”, tha Allen.

Ata mund të ofrojnë shërbime këshillimi për punonjësit e tyre, por edhe programe edukimi financiar dhe plane kursimi për t'i ndihmuar ata të trajtojnë faktorët e stresit në para.

Gjetja e mënyrave për të mbështetur punonjësit që duhet të kujdesen për fëmijët ose të afërmit e tjerë mund të ndihmojë gjithashtu.

Në baza ditore, Allen tha se kompanitë duhet t'i kushtojnë vëmendje shtesë lejimit të kohës për kontakt personal midis njerëzve, menaxher dhe punonjës, punonjës dhe punonjës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë