Treg

Portofoli i kredisë për banesa rritet me 1.3 mld lekë, kryeson Tirana

Banka e Shqipërisë raporton se kredia për banesa në tremujorin e parë të 2019-ës është rritur me ritme të qëndrueshme ose e barabartë me 1,3 mld lekë.


Kredia për banesa dominohet nga kreditimi në rrethin e Tiranës me 67. % të totalit të portofolit, dhe në dy vitet e fundit, kjo peshë është rritur me rreth 2.4 pikë përqindjeje.

Të dhënat për tre vitet e fundit tregojnë se raporti i kredisë për individë ka mbetur përgjithësisht i pandryshuar. Struktura e portofolit të kësaj kategorie si edhe më parë mbizotërohet nga kredia për banesa, e cila zë rreth 63% të totalit të kredisë për individë. Megjithatë, në këto tre vitet e fundit, pesha e saj në portofolin e kredisë ka ardhur në rënie.

Por, të dhënat tregojnë se kredia për individë është rritur me ritme më të ngadalta gjatë kësaj periudhe duke sjellë reduktim të normës vjetore të këtij portofoli me 0.3 pikë përqindjeje, në 4.8% në fund të muajit mars. Në raport me PBB-në, kredia për individë pothuajse ka mbetur në të njëjtin nivel me një tremujor më parë, në 12.16%.

Ngadalësimi i rritjes së kredisë konsumatore ka ardhur si pasojë e rënies së kërkesës nga individët ashtu edhe kushtet nga ana e bankave janë shtrënguar.
Shpërndarja gjeografike e portofolit të kredisë për individë tregon se kreditimi i tyre ka qenë i përqendruar në rrethin e Tiranës, 60 % e totalit e ndikuar gjerësisht nga rritja e mbizotërimit të kredisë për banesa.

Gjithashtu, shpërndarja gjeografike e portofolit të kredisë konsumatore tregon se kohët e fundit, bankat kanë filluar të jenë më aktive edhe nëpër rrethe. Krahasuar me tre vite më parë, pesha e kredisë konsumatore në rrethet bregdetare ndaj totalit është rritur me rreth 1.5 pp, e lidhur edhe me përmirësimin e aktivitetit ekonomik në këto rrethe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë