Lajme

Porti turistik i Durrësit, Alabbar: Kontrata është në Kuvend, nisim punën brenda nëntorit

Puna për ndërtimin e portit turistik të Durrësit, që sipas projektit të prezantuar do ta shndërrojë atë në portin turistik më të madh në Mesdhe synohet që të fillojë brenda muajit nëntor.

Mohamed Alabbar thotë se kontrata është depozituar në Kuvend dhe pret që Kuvendi ta miratojë atë në muajin shtator.

Drejtuesi i “Eagle Hills”, kompania që nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit me “Albanian Seaports Development Company” shpreson që pas këtij hapi, puna të nisë brenda 2-3 muajve.

Kompania “Albanian Seaports Development” është regjistruar në QKB nga shteti shqiptar së fundmi me objekt të punës lehtësimin e procedurave dhe burokracive ligjore për kompaninë “Eagle Hills” që do të kryejë investimin.

Sa i takon investimit, në një intervistë për Euronews, drejtuesi i “Emaar Properties”, Mohamed Alabbar tha se ai mund të kalojë vlerën e 2 mld eurove, ndërsa për çmimet e shitjes së pronave që do të ndërtojë shprehet se ato do t’u referohen çmimeve të tregut shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë