Politike

Porti i ri Durrësit, Berisha thirrje aksionerëve: Aferë e madhe. Hiqni dorë, nuk do ta gëzoni kurrë

Përmes një deklarate zyrtare mbajtur nga selia e partisë, Sali Berisha tha se, “kryeministri Edi Rama fali 1.5 mln metra katrorë tokë në Durrës” për portin e ri.

“Jam këtu për të denoncuar për të shumtën herë, aferën mafioze, korruptive të Ramës me portin më kryesor, shekullor e mijëvjeçar, portin e Durrësit.

Kjo aferë vjen në dhunim me të gjitha ligjet e vendit. Rama deklaron se i ka dhënë një kompanie territorin prej 1.5 mln metra katrorë të ndërtimit aty të Dubai-city, të Dubait-Emar-Rama, ose Rama-Emar.

Dhënia pa garë është dhunim i ligjeve të vendit, por edhe atyre ndërkombëtare që Shqipëria është e detyruar t'i respektojë.

Ky megaskandal është e tillë, që askush nuk njeh kompaninë, pasi kompania është offshore dhe kjo ështe e ndaluar me ligjet e vendit, që kompani të tilla të marrin prona të tilla të shqiptarëve.

Kjo bëhet që Rama dhe bashkëvjedhësit e tij, duan të fshehin fitimet e tyre përrallore nga kjo aferë, në parajsat fiskale të mafias botërore.

Në këtë aferë Edi Rama u thotë shqiptarëve se Shqipëria fiton 300 mln, ndërkohë që vetëm trualli kushton jo më pak se 3 miliardë euro, me çmimin aktual”, tha Berisha.

Kreu i PD-së shtoi: “Nëse pronarët e trojeve në Shqipëri e japin truallin për zhvillim ndërtuesve, sipas zonave me një % nga 20 deri ne 50%, Edi Rama u len shqiptarëve vetëm 10% të fitimit.

Kurse merr vetë me kompaninë e Emarit-Rama, 90% të vlerës. Ky është një superskandal. Tejkalon çdo lloj imagjinate”.

Berisha u kërkoi aksionerëve të përfshire në projektin e ri të Portit të Durrësit që të heqin dorë.

“Dua ti them Ramës, aksionerëve të fshehtë të kësaj kompanie, përfituesve fundorë, se ju që veproni kështu me një mafioz, jeni kryemafiozë dhe se kurrë nuk do të gëzoni pasurin publike të shqiptarëve në Portin e Durrësit. Hiqni dorë nga kjo aferë superskandal”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë