Biznes

Porti i ri turistik i Durrësit do të përjashtohet nga taksa e ndërtimit dhe e strehimit social. Kërkohet miratim i përshpejtuar

Nga Gazeta 'SI' - Porti  i ri turistik i Durrësit, “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, do të përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe taksën e strehimit social, sepse shteti është aksioner në këtë investim.

Ky ka qenë vendimi dhe arsyetimi i AIDA, që merret me investimet strategjike. Taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet për Durrësin në 4% (e vlerës së shitjes së një m2 ndërsa për strehimin social është 3% e sipërfaqes së ndërtimit. “Vlera që nuk do të paguhet në taksa do të jetë pjesa e kontributit të shtetit shqiptar në investim.”

“Shoqëria e përbashkët për realizimin e projektit “Marina dhe Jahtet e Durrësit” të përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social, në kushtet që vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim”, -thuhet në dokument.

Komiteti i AIDA ka propozuar po ashtu që projektligji për zbatimin e projektit të kalohet dhe miratohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvend.

Në vendimin e publikuar, thuhet se pronat e paluajtshme shtetërore, të transferuara në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike për këtë projekt, do t’i kalojnë në pronësi shoqërisë "Albanian Seaports Development Company" SHA, njërës prej kompanive investuese. Por pjesa portuale dhe lundruese do t’i mbeten shtetit shqiptar.

Shteti Shqiptar do të zotërojë 33% të aksioneve të një klase të veçantë në Investitorin Strategjik, ndërsa kompania investitore të zotërojë 67 % të aksioneve të tjera. Kjo përqindje pjesëmarrjeje do të jetë dysheme, e pandryshueshme dhe nuk do të sjellë detyrime për investime shtesë nga ana e shtetit shqiptar.

Projekti pritet të shtrihet në 20 vite zhvillim në 812 600 m2 dhe gjatë kësaj kohe të gjitha shërbimet portuale tregtare do të zhvendosen në Porto Romano.

Kostoja e investimit të projektit është parashikuar të jetë 2.08 miliardë euro. Investimi total në Fazën 1 vlerësohet të jetë 595 mln euro dhe për Fazën 2, 1.5 mld euro përfshirë dhe taksat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë