Menaxhim

Miratohet marrëveshja për Marina & Jahtet e Durrësit. Balluku: Ndërhyrja e shtetit ul risqet operacionale

Nga Gazeta 'SI' - Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi miratimin e marrëveshjes kuadër midis ministrave me Eagle Hills Real Estate Development, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.  Ky projekt është parashikuar të kushtojë 2 mld euro dhe synon ta çojë Shqipërinë në nivel ndërkombëtar në këtë sektor, sipas ministres.

Porti i ri në Durrës pritet të jetë investimi më i madh i huaj në të gjithë rajonin.

“Dy miliard euro do të jetë investimi dhe parashikohet punësimi i 10-12 mijë persona. Hedhim një tjetër hap me projektin për Portin e Ri Turistik të Durrësit, investimi më i madh i huaj në rajon, i cili jo vetëm do të transformojë rrënjësisht qytetin e Durrësit, por do ta çojë turizmin në Shqipëri në një tjetër nivel ndërkombëtar”, - u shpreh ministrja.

Pasi të kalojë nëpër komisionet përkatëse, projektligji do të shkojë në Parlament.

Marrëveshja pritet të bëjë shtetin e Shqipërisë aksioner në projektin që do të zhvillohet mes dy kompanive të tjera private, Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a, pasi kjo ul risqet operacionale në ngarkim të investitorit.

“Pavarësisht veprimeve të aksionerit privat, pra, pavarësisht se ai mund të shtojë kapitalin ndër vite, në bazë të kësaj marrëveshjeje, kuota e aksionerit shtetëror nuk do të cënohet. Bregdeti, deti përkatës dhe brigjet mbeten prona shtetërore të patjetërsueshme te privati edhe pasi të zhvillohen. Pronat private dhe publike të zonës do të pësojnë rritje vlere të konsiderueshme dhe aktiviteti i portit nuk do të ndërpritet dhe as nuk do të pengohet gjatë fazave të projektit”, theksoi ministrja Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë