Biznes

Projekti i Durrësit / Kadia: Prona nuk tjetërsohet. Portet do të jenë shtetërore. Mbi 1 mld euro të ardhura

Nga Gazeta ‘SI’ - Në prezantimin e projektit të portit të ri të Durrësit vazhdojnë debatet lidhur me grupin negociues nga ministria e Financave, që shkaktuan pakënaqësi tek deputetët për hezitim të pëgjigjeve të tyre.

Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi përgjigje për masën e tokës që do të jepet në këtë projekt, kush e merr më pas këtë pronë dhe çfarë ndodh me vijën bregdetare. Po ashtu, ai pyeti edhe për vlerën e taksave që investitori do të paguajë dhe vlera e atyre nga të cilat përjashtohet. Detyrimet që ka kompania për zbatimin e ligjeve shqiptare për financimin e terrorizmit dhe pastrimit të parave, si edhe përfshirjen e kompanive offshore në këtë marrëveshje.

Prezantimi u bë nga zv.ministri i Financave Besart Kadia, zv.sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona dhe kreu i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu.

Në përgjigje të pyetjeve të deputetit Braçe, zv.ministri Kadia sqaroi se në total toka që do të vihet në dispozicion të projektit është 80HA nga të cilat 33% janë pjesë e zotëruar nga shteti.

“Kalatat, baseni i portit dhe kanali i portit i mbeten shtetit. Vija bregdetare nuk tjetërsohet. 20% e pronës do të rikthehet si hapësirë publike e shfrytëzueshme dhe prandaj është përjashtuar nga disa taksa, të cilat në total vlejnë 220 mln euro”,-tha Kadia.

Ai paraqiti edhe përfitimet që ka shteti shqiptar nga investitori si taksapagues. Në fazën e parë, për tatimin 15%, 83 mln euro. TVSH 20% për veprat ndërtimore, 100 mln euro. TVSH 20% për ndërhyrjet ë infrastrukturën lidhëse, 18 mln euro. Tatim mbi të ardhurat e të punësuarëve, 28 mln euro. Kontribute sociale 76 mln euro, shëndetësore 8.6 mln euro. Në total, 315 mln euro.

Në fazën e dytë, për tatimin 15%, 154 mln euro. TVSH 20% për veprat ndërtimore, 234 mln euro. TVSH 20% për ndërhyrjet në infrastrukturën lidhëse, 274 mln euro. Tatim mbi të ardhurat e të punësuarëve,56 mln euro. Kontribute sociale 17 mln euro, shëndetësore 17 mln euro. Në total, 1 mld euro.

Kadia sqaroi se porti do të zhvillohet aty ku është ai aktual.

Kreu i APD-së, Vëngu tha se brenda Autoritetit do të ketë dy porte, një turistik, për kroceret, jahtet dhe pasagjerët dhe një për operim tregtar. Të dy ato do të jenë shtetërore, ku shteti i përcakton dhe tarifat, “thjesht specializohet porti për turizmin elitar.”

Vëngu shtoi se aty nuk ka asnjë entitet offshore të përfshirë dhe se të dhënat janë në QKB.

Por, Elira Kokona, sqaroi se në marrëveshje përfshihen edhe persona të lidhur me pronarët fundore, jo vetëm përgjegjësit ligjor të kompanisë.

“Të gjitha masat e zbatueshme në Shqipëri për pastrimin e parave vlejnë edhe për investitorin. Përfituesit fundorë janë zoti Alabar dhe familjarët e tij”, -tha Kokona.

Ndërhyrjet e deputetit të PD-së, Agron Shehaj dhe debati i tij me zv.ministrin Kadia dhe drejtuesin e komisionit, Eduart Shalsi, ndërprenë përkohësisht komisionin e Ekonomisë. Shehaj u shpreh se projekti ka investitorë dhe financues offshore që po fshihen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë