Biznes

Kryeministria lë të hapur mundësinë e pasaportave të arta për blerësit në portin e Durrësit: Nuk ka një ligj që e ndalon ose jo!

Nga Gazeta ‘SI’ - Zv.sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona, la të paqartë nëse investimi nga Emiratet i hap rrugë skemës së Pasaportave të Arta, duke thënë se nuk ka një ligj që e ndalon apo e mbështet këtë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Jorida Tabaku, Kokona tha se në ligjin shqiptar nuk është përcaktuar një program i pasaportave shqiptare dhe se çfarë lloje investimesh përfshihen në të ende, por do të shqyrtohet në një moment të dytë.

Ajo shtoi se BE nuk e ndalon një gjë të tillë. ”BE kontrollon kushtet se si programet ndërtohen, se si plotësohen e nëse qeveritë janë të afta apo jo. Do të jetë subjekt i shqyrtimeve në një moment të dytë. Nuk po fshehim asgjë sepse ende nuk e kemi gati programin”, -u shpreh Kokona.

Në dokumentin e marrëveshjes midis Këshillit të Ministrave në Shqipëri dhe kompanisë Eagel Hills  thuhet se ata që blejnë prona në zonën e zhvillimit, do të kenë të drejtë të aplikojnë për shtetësi dhe rezidencë të përhershme në Shqipëri.

Më tej, deputetja Tabaku shtroi dhe disa pyetja të tjera, që nga përfshirja e qeverisë në investim e deri tek mundësia e një “flluske”.

Fillimisht, zv.ministri i Financave, Besart Kadia sqaroi se prona nuk mund të vendoset kolateral nga investitori dhe se siguria financiare nga ai, është kompania e lidhur “Nishmi Development”.

“Qeveria ka një truall dhe mund ta japë për ta bërë port, ta japë për real estate dhe të shesë pallatet në teg dhe ka mundësi të bëhet ortak në një investim strategjik. Shteti nuk mund të bëhet menaxher i shitjes së pronave nuk do të ishte efikase për ekonominë.”,-tha Kadia.

Sipas kreut të APD-së, Pirro Vëngu, shteti është bërë ortak në këtë investim për të reduktuar risqet ligjore, financimet, mundësinë e mospërfundimit të projektit etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë