Futboll

Portat 5 cm më të shkurtra, Mourinjo rrëfen episodin para Shkëndijës

Para ndeshjes së Ligës së Europës mes Shkëndijës së Tetovës dhe Totenhemit, që u mbyll me fitoren e anglezëve, 1-3, ka ndodhur një episod i pazakontë me portat, që ishin 5 centimetra më të shkurtra dhe që më pas u zëvendësuan. Një episod që e ka zbuluar vetë trajneri i ekipit anglez, Zhoze Mourinjo.

“Para ndeshjes portierët tanë u ankuan se portat nuk ishin në përmasat e duhura. Ata stërviten çdo ditë me portat dhe kur ka diçka që nuk shkon, e kuptojnë menjëherë. Shkova vetë e verifikova. Nuk kam qenë ndonjëherë portier, por futbolli është jeta ime që fëmijë. Ngrita dorën dhe aty e kuptova edhe unë që kishte një problem, ishin 5 centimetra më të shkurtra. Lajmëruam delegatin e UEFA-s dhe më pas portat u ndërruan”, - u shpreh Murinjo gjatë konferencës së shtypit pas ndeshjes.

Mourinjo, duke matur portën e stadiumit në Shkup. Gazeta Si, 25 shtator 2020

Trajneri i njohur portugez vlerësoi performancën e Shkëndijës së Tetovës, ndërkohë që shprehu keqardhjen për mungesën e tifozëve në stadiumin “Teodor Proeski” të Shkupit. Për skuadrën tetovarë, aventura europiane ka përfunduar këtu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë