Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu e ka mësuar emrin e pasaardhëses së tij, por edhe pse në largim ai i qëndron linjës së vet të diplomacisë së drejtpërdrejtë dhe në konferencën e organizuar nga Ministria e Brendshme për bilancin gjashtëmujor të operacionit “Forca e Ligjit” foli pa doreza.
“Klement Balili është një bos i krimit të organizuar me lidhje politike. Prej dy vitesh, policia dhe prokuroria nuk kanë mundur dhe nuk kanë patur vullnetin për ta arrestuar atë”, tha Lu.
Ambasadori amerikan kujtoi investimin më të madh personal në mandatin si kryediplomat i Uashingtonit në Tiranë dhe la si porosi për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Kryeministrin Edi Rama luftën kundër krimit të organizuar.
“I bëj thirrje Ramës, Xhafës dhe prokurorëve të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar pa mëshirë. ONM ka thënë se do përfundojë këtë verë kalimin në Vetting dhe ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kokat e krimit duhet të kenë frikë. Drejtësia për ta po vjen”, tha ai.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryeministri Rama. Shqetësimit të Donald Lu, që me emër konkret përmendi Klement Balilin iu përgjigj po me emër konkret, por pa caktuar afate dhe i dha të drejtë ambasadorit, duke fajësuar edhe ai politikën.
“Unë e mirëkuptoj shqetësimin që nënvizoi, nuk e di për të satën herë, miku ynë, ambasadori, për një nga profilet më të larta të krimit të organizuar. Padiskutim arritja në kapjen e këtij personazhi të botës së krimit është një domosdoshmëri dhe do të jetë sukses i madh. Mos të harrojmë se nuk ishte 40 vite më parë, vetëm pak vite më parë, ky ishte drejtor, ishte drejtor i lidhur politikisht dhe politikisht i provuar drejtor. Çuditërish jo drejtor peshkimi, por drejtor transporti. Sot është në kërkim dhe patjetër që në bashkëpunim me partnerët, herët ose vonë do të kapet dhe siç tregojnë dhe shembujt nga vendet e tjera, herët ose vonë do të kapet”, tha Kryeministrit.
Rama premtoi më shumë bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe për forcim të këtij bashkëpunimi u zotua edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që citoi edhe raportin e ministrave të Jashtëm të BE.
“Siç na është pohuar në takimet me ndërkombëtarët na është pohuar forcimi i bashkëpunimit. Po zhvillojmë operacione dhe hetime të përbashkëta në fushën e rendit dhe sigurisë publike. Raporti njeh dhe vlerëson progresin e Shqipërisë në këto fusha. Rekomandimet janë që të vijojë puna e nisur. Ne jemi duke i lexuar me vëmendje vlerësimet e raportit. Ju siguroj se ato do të gjejnë mbështetje”, tha ai.
Nuk përmendi emra konkretë, por tërthorazi kuptohej që në fjalën e tij, ministri i Brendshëm shënjestroi opozitën, që sipas tij po ja vështirëson punën policisë në luftën kundër krimit.
“Politika e pozicionuar përballë policies, në vend që të vlerësojë punën e tyre nuk shërben. Kjo politikë me papërgjegjshmëri sulmon policinë, edhe kur rezultatet e operacioneve janë të mëdha e të qarta”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.