Analize

Populistët italianë, gjithçka që nuk po bëjnë për të mbajtur premtimet

Politikanët italianë nuk janë të njohur për mbajtjen e premtimeve. Gjatë gati 10 viteve si kryeministër, Silvio Berluskoni deklaroi vazhdimisht se do të ulte taksat. Ai jo vetëm që nuk e mbajti këtë premtim, por e udhëhoqi vendin drejt një krize të madhe ekonomike. Por koalicioni i ri qeveritar i Lega Nord dhe Lëvizjes Pesë Yjet duket se po i çon gjërat në një nivel të ri.

Të mërkurën, zëvendëskryeministrat Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini premtuan të kalojnë një buxhet të “matur”, i cili nuk do të shkaktonte fërkime me pjesën tjetër të vendeve anëtare të BE-së dhe tregjet financiare. "Ne duam të respektojmë angazhimet e bëra me italianët dhe të mbetemi brenda kufizimeve të vendosura nga të tjerët”, tha Salvini. “Ne do të kalojmë një buxhet që do t’i bëjë italianët të buzëqeshin sërish dhe do t’i mbajmë financat publike te ekuilibruara ", këmbënguli Di Maio.

Investitorët e pëlqyen atë që dëgjuan. Gjatë tre ditëve të fundit bonot 10-vjeçare të Italisë kanë rënë nga më shumë se 3.2 për qind. Ndërkohë, që tregu i aksioneve të Milanos është rimëkëmbur,  aksionet e tjera europiane pësuan sërish rënie. Pas një vere të nxehtë që dukej si prelud për një vjeshtë edhe më të nxehtë, ky nuk ishte një hap i vogël.

Luigi Di Maio, Matteo Salvini dhe Kryeministri Conte 

Por problemi është se komentet e Di Maio dhe Salvinit bien në kundërshtim me shumë nga masat gjë u kanë premtuar votuesve gjatë fushatës elektorale. Në maj, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni që parashikonte shkurtimet e taksave me 125 miliardë euro dhe shtimin e shpenzimeve publike.  Ndoshta këto premtime mund të mbahen me kalimin e kohës, por sipas ekspertëve është e vështirë të besohet se qeveria e re italiane do të mund të bëjë ndonjë gjë tjetër, përveç premtimeve simbolike.

Udhëheqësit italianë nuk kanë sqaruar se çfarë deficiti buxhetor do të synojë të arrijë qeveria për vitin 2019. Italia pritet të ketë një defiçit prej 0.8 për qind vitin e ardhshëm, por Pesë Yje dhe në Lega Nord shpresojnë që ai mos të arrijë në 3 për qind. Kthesa politike është e qartë. Salvini premtoi një "taksë të sheshtë" përgjatë fushatës zgjedhore për të nxitur rritjen e ekonomisë. Por buxheti i sapo miratuar pritet të sjellë vetëm disa shkurtime të vogla të taksave.

Sa për Pesë Yjet, lëvizja ka mbrojtur përgjatë fushatës "të ardhurat e qytetarëve" dhe ka premtuar se do të ndihmojë të papunët. Të dyja palët do të duhet të mbajnë gjithashtu edhe të gjitha propozimet e mëparshme për të ulur moshën e daljes në pension. Pak pasi u dhanë fund premtimeve për daljen nga eurozona, Salvini dhe Di Maio duket se po bëjnë të njëjtën gjë me premtimet për rritjen ekonomike, pasi ballafaqimi me tregjet financiare i ka bërë të hedhin një hap prapa. Vetëm disa ditë më parë, Di Maio tha se interesat e italianëve vijnë para atyre të agjencive të vlerësimit. Megjithatë, të mërkurën ai  deklaroi se: "Nuk është e thënë që interesat e agjencive të vlerësimit dhe ato të italianëve të bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.”

Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini

Qeveria populiste ka sinjalizuar tashmë se Italia mund të marrë kthesa të mëdha. Pesë Yjet mbyllën një fabrikë të madhe çeliku në Italinë Jugore, e cila është akuzuar si shkaktarja e rritjes së vdekjeve nga kancer në zonë. Por të mërkurën, Di Maio theksoi se ai do t’i përmbahet planeve të qeverisë së mëparshme për t’ia shitur fabrikën gjigantit të çelikut “ArcelorMittal”. Të dyja partitë kanë hequr dorë gjithashtu edhe nga planet për të ndaluar vaksinimet e detyrueshme në shkolla.

Si do të reagojnë votuesit për një tradhëti të tillë? Tani për tani, ata janë duke ngritur supet. Pesë yje dhe Lega Nord nuk kanë qenë shumë efektive në qeverisjen e tyre, por kanë qenë shumë të zotë për t’ia vënë fajin BE-së apo paraardhësve të tyre. Opozita është e përçarë dhe pa liderë të besueshëm. Qëndrimi i ashpër i qeverisë ndaj emigracionit ka forcuar mbështetjen e qytetarëve. Megjithatë, koalicioni ndodhet në një pozicion mjaft delikat. Si fillim, Lega dhe Pesë yje konkurrojnë me njëri-tjetrin për vota. Konfliktet mes tyre e bëjnë edhe më të vështirë të hartojnë një buxhet efektiv, veçanërisht kur burimet janë të pakta. Ndërkohë votuesit italianë janë të paqëndrueshëm. Nuk u desh shumë që italianët t’i kthenin shpinën Matteo Renzi, edhe pse u përfol se mund të dominonte politikën e vendit për një dekadë. Ky mund të jetë edhe fati i Di Maio dhe Salvinit./Bloomberg/ 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë