Ne rrjet

Pompeo letër Kurtit: Hiqni taksën dhe uluni në bisedime me Serbinë

Një javë pas marrjes së detyrës, kryeministri Albin Kurti ka marrë sot një sinjal shumë të rëndësishëm nga Uashingtoni për rinisjen e bisedimeve me Serbinë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i ka shkruar një letër kryeministrit të Kosovës duke i kërkuar të heqë taksën ndaj importeve serbe dhe që ta shfrytëzojë këtë moment për normalizim të raporteve.

Në letrën e tij të parë drejtuar Kurtit, Pompeo thotë se ky është momenti më i mirë për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë. Sipas Sekretarit Amerikan të Shtetit, kjo do t’i hapte dyert Kosovës për integrim të plotë ndërkombëtar.

“Uroj qytetarët e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike. Ne mirëpresim formimin e Qeverisë së Kosovës dhe mezi presim që të punojmë së bashku për t’i paraprirë qëllimeve të përbashkëta për rritjen ekonomike, sundimin e ligjit dhe normalizimin e raporteve me Serbinë”, e nis Pomepo letrën e tij.

“Ne e mirëpresimin zotimin tuaj për të luftuar korrupsionin ndërkohë përpiqeni të përkrahni aspiratat e popullit të Kosovës, përfshirë dëshirën e tyre për transparencë më të madhe dhe mundësi ekonomike. Tani është koha që ta kuptoni se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve me Serbinë, i bazuar në njohjen e dyanshme, është thelbësor për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. Shtetet e Bashkuara do të ju qëndrojnë në krah gjatë këtij procesi”, ka shkruar Pompeo.

Ai thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga Kurti që ta heqë tarifën ndaj produkteve serbe duke theksuar se ky duhet të jetë prioriteti i kryeministrit.
“Heqja e tarifës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake do të ndihmonte që palët të ktheheshin në tryezën e negociatave. Ne shpresojmë dhe presim që ky do të jetë prioriteti juaj dhe se do ta shfrytëzoni momentin e krijuar nga rikthimi i linjës ajrore dhe hekurudhore mes Prishtinës e Beogradit”, përfundon Pompeo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë