Politike

Polymarket vë në bast të ardhmen politike të Ramës

Nga Gazeta ‘Si’-  Platforma ndërkombëtare e parashikimeve Polymarket ka hapur një treg të ri kushtuar politikës shqiptare, ku përdoruesit mund të vendosin baste mbi mundësinë që Edi Rama të largohet nga posti i kryeministrit gjatë vitit 2026.

Tregu është aktiv që prej muajit mars, por ditët e fundit ka regjistruar një rritje të ndjeshme të aktivitetit dhe interesit nga përdoruesit, lidhur kjo me protestat masive të zhvilluara në Shqipëri, që prej fundit të majit.

Në një moment gjatë mbrëmjes së 10 qershorit, probabiliteti i largimit të Ramës, sipas çmimeve të kontratave në platformë, arriti në 53%, duke bërë që skenari “Po” të konsiderohej përkohësisht si më i mundshëm nga pjesëmarrësit në treg.

Sipas rregullave të publikuara në platformë, tregu do të konsiderohet i fituar me alternativën “Po” nëse Rama pushon së ushtruari detyrën e kryeministrit për çfarëdo periudhe kohore nga momenti i krijimit të tregut deri më 31 dhjetor 2026. Kjo përfshin dorëheqjen, shkarkimin ose çdo largim tjetër zyrtar nga posti. Në të kundërt, nëse ai vijon të mbetet në detyrë deri në fund të vitit 2026, rezultati do të jetë “Jo”.

Platforma sqaron se zgjidhja e tregut do të bazohet kryesisht në njoftimet zyrtare të qeverisë shqiptare ose në deklaratat e vetë kryeministrit. Në mungesë të tyre, mund të merret në konsideratë edhe një konsensus raportimesh nga media të besueshme.

Polymarket funksionon si një treg parashikimesh, ku përdoruesit blejnë dhe shesin kontrata bazuar në gjasat që një ngjarje të ndodhë. Çmimi i kontratave interpretohet si probabiliteti që tregu i atribuon një skenari të caktuar, por nuk përbën një sondazh shkencor apo një parashikim zyrtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë