Lajme

Politika ndërhyn edhe në futboll, shtyhet ndeshja Tirana-Luftëtari

Ka shumë pak fusha në vendin tonë, ku politika nuk përfshihet. Edhe futbolli nuk kishte se si të shpëtonte. Protesta e opozitës ditën e shtunë e planifikuar të fillojë në orën 11:00 dhe që pritet të zgjasë në kohë ka bërë që ndeshja Tirana-Luftëtari e vlefshme për javën e 22-të të shtyhet. Takimi do të zhvillohet ditën e diele në të njëjtin orar. Burime zyrtare pranë FSHF-së konfirmuan se Policia e Shtetit nuk kishte marrë përsipër ruajtjen e rendit ditën e shtunë, pasi një pjesë e madhe e forcave të rendit do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e protestës së Opozitës.

Të gjendur në këtë situatë sektori i garave pranë FSHF-së është detyruar që të pranojë shtyrjen e ndeshjes në orën 17:00 ditën e diele. Lajmi fillimisht u bë i ditur nga vetë skuadra bardheblu, duke thënë se takimi do të luhet ditën e diele dhe se për këtë arsye edhe konferenca për shtyp e Memës do të zhvillohet ditën e shtunë.

“Fillimisht iu njoftoj se ndeshja Tirana-Luftëtari, për shkak të protestës që zhvillohet nesër, do të luhet ditën e diel. Konferenca e sotme e trajneri Ardian Mema, zhvendoset për nesër në të njëjtin orar, 13:00 në ambientet e stadiumit ‘Selman Stërmasi’,”- shkruhej në njoftimin e zyrës për shtyp. Me këtë vendim të imponuar nga situata politike në vend, Superliga Shqiptare do të jetë pushim për ditën e shtunë dhe katër ndeshje do të luhen ditën e diele.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë