Rend dhe Ligj

“Policia sekrete” e burgjeve do ndryshojë

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje pritet të ndryshojë rrënjësisht duke marrë atributet e një policie gjyqësore për hetuar mënyrën se si sillen punonjësit e burgjeve, apo për të luftuar korrupsionin, si dhe ndjekur ankesat e të burgosurve për mënyrën e trajtimit.
Projektligji i “Shërbimit për Kontrollin e Brendshëm dhe Ankesat në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale” parashikon shtimin e numrit tw punonjësve si pjesw e strukturës organike të këtij institucioni që do të jetë në varësi ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Dhënia e rolit të punonjësve si polici gjyqësore mund të shkaktojë edhe përplasje, pasi kjo strukturë është në varësi të Prokurorisë së Përgjithshme. Duke iu referuar ligjit për “Policinë Gjyqësore”, punonjësve të rinj të SHKBB i lind e drejta që në cilësinë e subjektit të procedimit penal, të kryejë këto funksione hetimi apo parandalimi tw veprave penale; kërkon autorët e veprave penale; kryen veprimet e nevojshme për të siguruar burimet e provës dhe për të grumbulluar gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal.
Në draftin e ri përcaktohet pikërisht ky rol ku Njësia përgjegjëse, brenda objektit dhe qëllimit të mbikëqyrjes me qëllim ushtrimin e hetimit ka edhe këto të drejta: të kryejë fotografime, filmime apo fotokopjime të dokumenteve me mënyra e mjete të tjera teknike për çështje që lidhen me veprimtarinë e subjektit të mbikëqyrur; të këqyrë çdo dokument apo regjistrim të nevojshëm për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore, përfshirë edhe ato të ruajtura, të krijuara apo të mbajtura në format elektronik apo çdo teknikë tjetër; t’i kërkojë subjektit të mbikëqyrur apo punëmarrësve të tij të kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme për të lehtësuar procesin mbikëqyrës; të administrojë çdo mjet tjetër prove, sipas legjislacionit në fuqi.
Ky institucion edhe më parë ka qenë në varësi të ministrisë së Drejtësisë, porse me ndryshimet e reja krijon mundësinë e hetimeve dhe përgjimeve apo dhe vëzhgimeve nga strukturat përkatëse.
Gjithashtu në këtë projektligj është përcaktuar mënyra e trajtimit të punonjësve. Projektligji parashikon ndarjen e personelit në dy kategori: personeli operacional dhe punonjës administrativë. Sipas draftit, Personeli i Shërbimit personeli operacional kryen veprimtarinë informativo-gjurmuese, gëzon atributet e Policisë Gjyqësore në përputhje me legjislacionin në fuqi. Marrëdhënia e punës së personelit operacional, për sa është e mundur, rregullohet nga legjislacioni në fuqi për nëpunësin civil. Marrëdhënia e punës së punonjësve të punonjësve administrativë, rregullohet sipas Kodit të Punës.

Drafti i ri që pritet të miratohet nga Qeveria


Rregullat dhe procedurat për kërkesat e përgjithshme të pranimit, marrëdhëniet e punës, të trajnimit, ecurisë në karrierë dhe ndërprerjes së saj, për klasifikimin e niveleve, sipas funksioneve organike, përshkrimin e përgjithshëm të punës për çdo kategori përcaktohen në Rregulloren e Shërbimit.
Personeli civil përfiton nga normat e statusit të shërbimit civil gjithashtu përfiton nga statusi për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të gardës së republikës, të shërbimit informativ të shtetit, të policisë së burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë.
Për këtë është parashikuar rritja e numrit të punonjësve duke e çuar në 99 numrin e punonjësve, duke shtuar 40 gjithsej. Gjithashtu parashikohet që buxheti i tyre të jetë si pjesë e ministrisë së Drejtësisë dhe jo nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Sende të ndaluara në burgje gjatë kontrollit të ushtruar nga SHKBB-ja


“Mangësi serioze është edhe struktura organike. Aktualisht shërbimi e ka të vështirë të përballojë e të realizojë detyrat e tij me kaq pak burime njerëzore. Një strukture organike vendore deri më tani të integruar dhe financiarisht të varur në strukturën e IEVP-ve dhe përcaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Inspektorit i takon të punojë në një hapësirë mesatare për rreth 150 km nga struktura më e afërt eprore e cila ndodhet në qendër (Tiranë)dhe të organizojë punën për afro 300 të dënuar, paraburgosur dhe punonjës, kur normat e BE-së janë që për çdo 100 të paraburgosur e të dënuar mbulohen nga një inspektor kërkimi dhe hetimi, çka e bën pothuajse të pamundur efikasitetin dhe ndërveprimin në kohë reale të strukturave të shërbimit për parandalimin e veprimtarisë së kundërligjshme dhe rritjen e efikasitetit”, thuhet në relacionin e projektligjit të siguruar nga Gazeta SI.
Në nenin 18 të draftit është përcaktuar se ruajtja, administrimi dhe përdorimi i informacionit të klasifikuar dhe atij “Sekret shtetëror”, kryhet në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”. Ministri i Drejtësisë miraton rregulla të hollësishme për administrimin dhe përdorimin e dokumentacionit dhe të informacionit të Shërbimi, në përputhje me aktet ligjore në fuqi.


Mbajtja e armëve të zjarrit
Sipas draftit një pjesë e punonjësve të SHKBB-së do të gëzojnë të drejtën për t’u pajisur edhe me armë. Llojet e armatimit dhe të mjeteve të tjera të përdorimit të forcës nga Shërbimi përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë. Punonjësi i Shërbimit, sipas nenit 25 përdor armatimin dhe mjetet e forcës në përputhje me legjislacionin në fuqi për përdorimin e armëve. Njësi të veçanta të Shërbimit pajisen me pajime të veçanta, të cilat i përdorin vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, kur kërkohet përdorimi i tyre. Pajimet, mbajtja dhe përdorimi i tyre miratohen me urdhër të ministrit.
Punonjësit, para se të pranohen në Shërbim në strukturat operacionale, duhet të kenë përvojë pune jo më pak se 3 vjet në shërbime të specifikuara si më poshtë: strukturat e hetimit të Prokurorisë; strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Shtetit; shërbimet me kompetenca të Policisë Gjyqësore; strukturat informative të Shërbimit Informativ Shtetëror; Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes; Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe në strukturat e mbikëqyrjes të shërbimit, pasi të kenë kryer trajnimin përkatës për vendin e punës.
Punonjësit, para se të pranohen në Shërbim në strukturat e mbikëqyrjes dhe shërbimeve mbështetëse, duhet të kenë përvojë pune jo më pak se 2 vjet në shërbime të specifikuara si më poshtë: punonjësit e inspektimit në administratën shtetërore me natyrë të ngjashme pune, sipas vendit të punës; punonjësit e shërbimeve mbështetëse në administratën shtetërore; punonjësit e financës në administratën shtetërore, në fushën e menaxhimit financiar ose të financave publike.
Punonjësit nuk kanë të drejtën e aderimit në një parti politike dhe nëse angazhohen si kandidatë për zgjedhje nuk mund të ripranohen sërish në shërbim.. Punonjësi i Shërbimit, përveç përfitimeve që rrjedhin nga ligji për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, barazohet me punonjësit e Policisë së Shtetit dhe gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera shtesë, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë