Ka ndodhur

Policia ndjek makinën me drogë, arrestohen dy trafikantë në Shkodër

Policia Kufitare e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Hidrovori”, duke arrestuar dy persona dhe shpallur në kërkim një tjetër.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar një sasi lënde narkotike.

Policia thotë se në pranga janë vënë shtetasit E. I. 26 vjeç, banues në Shemri, Kukës dhe D. Zh. 19 vjeç banues në Kalimash, Kukës.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasi E. D. 23 vjeç, banues në Shemri, Kukës.

“Në vendin e quajtur ‘Shina-Hidrovor’, nga punonjësit e Policisë Kufitare, gjatë patrullimeve të shtuara është konstatuar një mjet tip ‘Ford’, drejtuesi i të cilit, në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ka shtuar shpejtësinë e mjetit duke lëvizur në drejtim të Hidrovorit. Menjëherë, punonjësit e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se 23-vjeçari me inicialet E. D. braktisi mjetin dhe bashkë me dy pasagjerët tentoi të largohej në zonën e pyllëzuar në terren malor.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 1.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. 

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikeve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë