Rend dhe Ligj

Policia fantazmë e hetimit tatimor dhe “zhdukja” e VKM për sigurinë

Një makinë me ngjyrë të bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” do të thyente perimetrin e sigurisë së aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, portën e çeliktë ku futeshin shërbimet e zjarrfikësve, që ndihmoi personat e maskuar si policë për të realizuar grabitjen spektatore të rreth 10 milionë eurove. Pasi kaluan perimetrin e sigurisë, grabitësit kanë shkuar në barkun e avionit “Austria Airlines”, dhe nën kërcënimin e armëve, morën 7 nga 10 thasët me vlerat monetare, për t’iu drejtuar më pas zonës së parkimit C3, që të çon drejt Tapizës.

E gjithë kjo situatë ndodhi në thuajse 90 sekonda, duke zënë në befasi të gjithë, përfshi edhe kompaninë përgjegjëse për sigurinë brenda. Por dikujt ndoshta duhet t’i bënte përshtypje fakti se furgoni i bardhë e një policie hetimore të Tatimeve dhe Doganave nuk ekziston më, pasi qeveria Rama vendosi ta shkrinte këtë strukturë, si edhe të tjera që kishin disa institucione, duke i lënë në përgjegjësi vetëm të Policisë së Shtetit.

Benzi që u përdor në grabitjen e vitit 2016, po brenda perimetrit të sigurisë të aeroportit të Rinasit

Pikërisht ky fakt duket se i ka shpëtuar ruajtësve të sigurisë, mes të cilëve është edhe policia kufitare shqiptare, pasi nëse do të ishin të vëmendshëm, do të konstatonin se kjo makinë me këtë mbishkrim ishte false, pasi Hetimi Tatimor apo Doganor është tashmë një strukturë fantazmë.
Këtu duhet përmendur edhe fakti tjetër se në ditën që ndodhi grabitja më 9 prill 2019, në zonën e Aeroportit të Rinasit ka pasur edhe prani të shtuar policisë apo të Gardës së Republikës, pasi pikërisht me linjën Austria Airlines do të mbërrinte në Shqipëri, presidenti Ilir Meta.

Kjo vjedhje spektatore, e dyta që ndodh brenda një harku kohor prej tre vitesh, tregon se strukturat e policisë, sidomos ato hetimore dhe kriminale kanë “harruar” për pak kohë Admir Muratajn, grabitësin e famshëm me 15 emra e mbiemra të ndryshëm që ishte në kërkim nga shteti grek për shkak të arratisjes nga burgu i i Trikallas në Greqi në vitin 2013. Ai kërkohej nga drejtësia e vendit fqinj për disa akuza nga vrasje, grabitje, por edhe plagosje.

Admir Murataj, personi i vrarë gjatë grabitjes së ndodhur më 9 Prill


Murataj ishte prej dy vitesh në kërkim si organizator i tre grabitjeve të tjera të bujshme të ndodhura mes viteve 2015-2017, njëra në Qafë-Kashar, tjetra në rrugën për në Rinas, dhe grabitja e një banke tek “Stacioni i Trenit në Tiranë”.
Agjentët apo punonjës të policisë kriminale duhet të kishin mbajtur nën vëzhgim të hekurt të paktën zonën ku Murataj banonte, në Fushë-Prezë, vendi i cili mendohej se përdorej prej tij edhe si pika e kontrollit të lëvizjes së makinave të blinduara që transportonin eurot drejt Rinasit një herë në javë.

Faksimile e Udhëzimit të nxjerrë nga ish-Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj


Për shkak të grabitjes së ndodhur dhe problematikave të konstatuara, ish-Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në mars të 2018-ës nxori një udhëzim të posaçëm “Për Funksionimin e shërbimit privat të sigurisë fizike”.
Në këtë urdhër, përcaktohej se “Transportimi i vlerave monetare mbi shumën 950.000.000 lekë, përveç masave të parashikuara në kategorinë F, pikat “a” dhe “b” nga shërbimi privat i sigurisë fizike, strukturat e Policisë së Shtetit në territorin e të cilit do të lëvizë eskorta, planifikojnë dhe marrin masa shtesë sigurie, sipas përcaktimit të bërë nga legjislacioni në fuqi”.
Drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk kanë zbatuar një tjetër kërkesë në këtë urdhër, ku parashikohen një sërë masash për thasët me valutë. “Në kontratën ndërmjet palëve të përfshihet edhe kategoria e mjeteve të blinduara, sasia maksimale-minimale e vlerave monetare që do të transportohen gjatë një eskortimi, përdorimi i GPS-it, bojë ngjyrosjeje me kod për çdo bankë, kamerat e regjistrimit, sinjali SOS, radio komunikimi etj.”, thuhet në këtë vendim.

Ndërsa edhe në kontratën e koncesionarit, në pikën 12 të saj që bën fjalë për sigurinë dhe mbrojtjen, përcaktohet se shoqëria do të jetë përgjegjëse për sigurinë në zonën e koncesionit.
Shoqëria do të veprojë në përputhje me shtojcën 44 (Siguria dhe Kontrolli i Bagazheve).
Në të përcaktohet se për kontrollin e sigurisë dhe patrullat brenda zonës së koncesionit (përfshirë Kontrollin e Perimetrit) organi përgjegjës është shoqëria ose operatori caktuar me nën/kontraktim. Kontrolli i sigurisë dhe patrullat jashtë zonës së Koncesionit (përfshirë Zonën me Zhvillim të Kufizuar) është përgjegjësi e Policisë Kufitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë