Lajme

Policia e Shtetit: Masa të shtuara për sigurinë në kufi

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se gjatë 9-mujorit të këtij viti janë shtuar masat për sigurinë kufitare.
Merkaj ka deklaruar se gjatë periudhës janar-shtator janë evidentuar dhe goditur 1 427 raste të paligjshmërisë.
“Janë kapur 376 persona në kërkim, janë identifikuar 285 raste të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara ose 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe janë sekuestruar 398 dokumente të falsifikuara ose 30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Si rezultat i masave të shtuara në kufirin jeshil, janë proceduar penalisht 819 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe janë kapur nga patrullat e Policisë Kufitare në afërsi të kufirit jeshil, në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 8 795 shtetas, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative gjobë”,u shpreh Merkaj gjatë deklaratës.
Gjithashtu, Merkaj tha se janë evidentuar dhe goditur 29 raste të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
“Nga Komisariati i Policisë Rinas, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë janë zhvilluar 5 operacione të koduara për goditjen e trafikimit të femrave për shfrytëzim prostitucioni dhe për goditjen e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, duke përdorur dokumente të falsifikuara”, tha Merkaj.
Po ashtu, gjatë periudhës janar - shtator, Policia Kufitare ka përballuar me sukses fluksin në rritje të imigrantëve të parregullt, që tentojnë kalimin tranzit nëpërmjet territorit të Shqipërisë drejt vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Ndër të tjera, Policia e Shtetit ka zhvilluar fushata të gjëra ndërgjegjësimi për parandalimin e abuzimit me të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën Schengen, si dhe po zbaton një sërë masash shtesë për parandalimin e azilkërkimit.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/556118948492578/

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë