Ngjarje

Fundoset varka me emigrantë në Kanalin Anglez, 4 të vdekur, 43 janë shpëtuar dhe ndodhen në spital

Një tragjedi ka ndodhur në Kanalin Anglez, ku një varkë e vogël me emigrantë është mbytur.

Shërbimi i Ambulancës në Bregun Juglindor tha se u njoftua për ngjarjen rreth orës 03:40 dhe se kishte dërguar ekuipazhe në Dover të Kentit, për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.

Momentalisht nuk dihet numri i saktë i personave që kanë qenë në varkë dhe as kombësia e tyre. BBC shkruan se ka 4 të vdekur por akoma nuk janë identifikuar.

Ndërsa Daily Mail shkruan se deri më tani janë shpëtuar 43 persona që po luftojnë për jetën në spital.

Burimet e përfshira në operacionin e kërkim-shpëtimit thanë se 'viktimat po transportoheshin me avion' nga deti.

Varka besohet të jetë përmbysur rreth 10 km larg Dungeness, duke detyruar më shumë se 40 njerëz të hidhen në detin e akullt, ku temperaturat shënojnë 1 gradë Celsius.

Një operacion shpëtimi ka nisur dhe janë përshirë dy helikopterë kërkim-shpëtimi, varka shpëtimi RNLI dhe varka të tjera të marinës britanike dhe franceze. Operacioni i shpëtimit mësohet se është duke u zhvilluar në brigjet e Kentit, pranë Dungeness.

“Ne jemi në dijeni të një incidenti në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar dhe të gjitha agjencitë përkatëse janë në vendngjarje. Detaje të mëtejshme do të jepen në kohën e duhur”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë