Ka ndodhur

Policia, 10 mijë kontrolle dhe nuk gjen asnjë parcelë me kanabis

Policia e Shtetit njofton se ka nisur kontrollet masive në të gjithë territorin e vendit për goditjen e kultivimit të kanabisit. 

Nga 10 mijë kontrollet e realizuara deri më tani policia thotë se nuk janë konstatuar raste të kultivimit të kanabisit apo tentativa për të hapur toka rishtas për kultivim.

“Janë ushtruar në total 9965 kontrolle, konkretisht: 4036 kontrolle në sera dhe minisera, 1633 kontrolle në magazina dhe objekte, 1178 kontrolle në ish-objekte ushtarake, 746 kontrolle në banesa të braktisura, 384 kontrolle në stane/stalla bagëtish dhe 1988 kontrolle në ambiente të hapura”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas policisë, për kontrollin e territorit janë angazhuar 1833 punonjës policie të Drejtorive Vendore të Policisë dhe Drejtorive të Kufirit, të ndarë në 354 grupe kontrolli. Si edhe 25 dronë që janë në dispozicion të Drejtorisë Vendore të Policisë, kamera, dylbi, 297 automjete policie dhe 4 mjete lundruese.

Ndër të tjera, policia thotë se kontrollet masive të territorit do të vijojnë çdo javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë