Rend dhe Ligj

Policia: 10 mijë euro kush jep informacion për Talo Çelën

Policia e Shtetit vë në dispozicion shumën prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion për kapjen e 49-vjeçarit Talo Çela, i shpallur në kërkim për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje e ndodhur më 27 prill të këtij viti.

Vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë me armë zjarri në vendin e quajtur Tregu i Makinave, Shënvlash, Durrës.

“Për këdo që do të japë informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e këtij personi, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shumën 10 mijë euro”, thuhet në deklaratën e policisë.

Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Policia thotë se Talo Çela është autori i dyshuar i megagrabitjes së prillit të vitit 2019, ngjarje e ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, arritën të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.

Ndër të tjera, policia thotë se “për çdo informacion që i shërben kapjes së këtij personi, qytetarët të telefonojnë në numrin e celularit 069 41 06 823, si dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të sigurt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë