Trend

Polemikat, 6 lojtarë të Borusias thyejnë protokollin për… parrukierin

Të bukur në fushën e futbollit, por edhe jashtë saj. “Djemtë e tmerrshëm” të Borusia Dortmund vazhdojnë t’i bëjnë për vete të pasionuarit e futbollit me lojën e tyre, ndërsa këtë herë në vend të duartrokitjeve kanë marrë kritika. Skuadra e trajnerit Lusien Favre bëri një start të fuqishëm pas rinisjes së kampionatit, duke eklipsuar edhe Bajernin kryesues, që gjithsesi e fitoi sfidën direkt dhe titullin e ka tashmë në dorë.

Opinionit publik, që nuk i kursen lëvdatat për lojtarët e talentuar të Borusias, nuk i ka pëlqyer sjellja e tyre jashtë fushe. “Bild” bën me dije se 6 lojtarë të Borusias, Thorgan Hazard, Aksel Vitsel, Rafael Guerreiro, Manuel Akanji, Dan-Aksel Zagadu dhe Xhedon Sanço, kanë thyer protokollin e Federatës Gjermane të Futbollit për rinisjen e Bundesligës pas pandemisë së koronavirusit. Lojtarët duhet të bëjnë shumë kujdes për personat që takojnë dhe duhet të marrin të gjitha masat për të minimizuar kontaktet për të mos rrezikuar infektimin nga Kovid-19. Por lojtarët e përmendur më sipër nuk i janë bindur këtij rregulli.

Lojtarët e Borusia Dortmund festojnë një gol. Gazeta Si, 4 qershor 2020

Uini Nana Karkari, një parrukier i njohur në Gjermani, ka pohuar se lojtarët e Borusias e kishin ftuar në shtëpitë e tyre për të rregulluar flokët. Dhe mëkati është se mjeshtri i flokëve ka qenë pa maskë. Një thyerje e qartë e protokollit, e dokumentuar edhe me foto në rrjetet sociale që secili nga lojtarët ka publikuar për të treguar prerjen e re të flokëve.

Edhe klubi i Borusias nuk e ka pritur mirë këtë lajm, edhe pse kur është kontaktuar nga “Bild”, i ka mbrojtur futbollistët. “Është krejtësisht normale që lojtarët tanë të presin flokët pas gjithë këtyre muajve. Por është e gabuar që nuk kanë mbajtur maskë. Do t’ua bëjmë të qartë lojtarëve tanë. Po ashtu, edhe parrukieri duhet të shohë sjelljen e tij”, - thanë drejtuesit të klubit gjerman. Vetë parrukieri është shprehur se ka punuar në kushte maksimale sigurie dhe se maskën e ka hequr vetëm për fotot. Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë