Ka ndodhur

Po transportonte vlera monetare, 55-vjeçari dhunohet dhe grabitet në rrugë

Dy persona të maskuar të hipur mbi një motor, kanë ndaluar fillimisht dhe goditur më pas me sende të forta një 55-vjeçar, të cilit më pas i kanë marrë një shumë parash.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:05 të mëngjesit të së martës në rrugën e Kavajës në kryqëzimin me rrugën “Mihal Duri”. Sipas policisë, Q.Z., po transportonte me motor vlera monetare të një pike valutore.

Autorët i janë afruar me një motor pa targa dhe e kanë goditur me sende të forta në kokë. Nga goditjet e shumta, 55-vjeçari është rrëzuar nga motori. Në këtë moment dy grabitësit i kanë marrë edhe një shumë të konsiderueshme parash.

Pasi kanë grabitur shumën e parave, dy autorët kanë tentuar të largohen por pak metra më tutje ata janë përplasur me një makinë. Në këtë moment ata kanë braktisur mjetin dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur kontrollin e zonës. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë