Politike

“Po shkelni ligjin, të mblidhemi online”, Dritan Leli i mbyll derën këshilltarëve. Kreu i PS Vlorë: Ka humbur besimin tonë

Debati mes kryebashkiakut Dritan Leli dhe kryeministrit Edi Rama para zgjedhjeve të 25 Prillit është zhvendosur në nivel lokal ku pak ditë më parë një grup anëtarësh të Këshillit Bashkiak kërkonin mbledhje urgjente me kryebashkiakun lidhur me trajtimin e disa ankesave të qytetarëve.

Këshilltarët bashkiak kishin thirrur mbledhjen të martën paradite, por Dritan Leli u është përgjigjur me një shkresë dhe më pas edhe me një postim në Facebook.    

“Lidhur me mbledhjen e ditës së sotshme (e martë) kërkuar nga një grup këshilltarësh bashkiak, më poshtë do të gjeni të gjithë komunikimin zyrtar që kam zhvilluar me Këshillin Bashkiak, për mbledhjen e kërkuar prej tyre për t'u zhvilluar në teatrin Petro Marko. Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit”, shkruan Dritan Leli duke publikuar edhe shkresën.

“Ju si organizatorë të kësaj mbledhje, jeni duke shkelur ligjin 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, ku jemi të detyruar të sjellim në vëmendjen tuaj se bazuar në nenin 3 pika 2 të aktit normativ, subjektet apo individët që organizojnë ndër të tjera dëgjesa publike dënohen me gjobë në masën 5.000.000 lekë”.

Më tej, Dritan Leni vijon “Në respekt të ligjit dhe të masave në fuqi për të parandaluar përhapjen e Covid-19, theksojmë sikundër jemi shprehur më parë se mbledhja jashtë radhe e Këshillit të Bashkisë Vlorë duhet të zhvillohet virtualisht (online)”, thuhet ndër të tjera në shkresën e protokolluar

Dritan Leli ka bllokuar për pasojë hyrjen në sallën ku do të mblidhej këshilli në orën 10:00, duke bërë që këshilltarët të reagojnë ashpër.

Kreu i këshilltarëve të PS, Anduel Tahiraj, njëherësh dhe kryetar i PS në Vlorë dhe deputet i sapozgjedhur, ka deklaruar se “po pengohen të zgjedhurit e qytetarëve të kryejnë detyrën”.

“Mënyra se si kryhet mbledhja përcaktohet nga Këshilli, jo nga kryetari. Numri i pjesëmarrësve sot është brenda përcaktimeve ligjore për masat anti-Covid.

Leli liron sallën për partitë politike, ia mbyll Këshillit Bashkiak.

Akti i Lelit, papërgjegjshmëri që cenon qytetarët e Vlorës.

Leli ka humbur besimin e qytetareve dhe mbështetjen e PS. Kërkojmë ndjesë qytetarëve për këtë sjellje të turpshme të Lelit. Këshilli është i vendosur të garantojë transparencë në punët publike të qytetit. Do të përdorim të gjitha instrumentet e kontrollit/auditimit që ka Këshilli për të garantuar llogaridhënien”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë