Futboll

“Po luajmë me kriminelët e Europës dhe ti më ndëshkon për kaq!”

Kampionët në fuqi të Europës, në ndeshjen e parë pas triumfit të Lisbonës, “shkelën” një ekip të fortë si Atletiko Madrid, duk shënuar 4 gola. Edhe pse ka shumë gjëra për të qenë të gëzuar, dikush në radhët e bavarezëve ka një arsye për t’u ankuar, por edhe për të krijuar jo pak polemika.

Në ndeshjen e së mërkurës u duk sikur Bajerni kishte mbetur “i ngrirë” në kohë. Po atë uri dhe atë ritëm e shfaqi ndaj një skuadre jo si gjithë të tjerat, por ndaj Atletiko Madridit. E bëri me shumë thjeshtësi dhe trajneri Flik nuk kishte si të mos fliste me pozitivitet për paraqitjen e të tijve. Ai që nuk është i lumtur pas kësaj ndeshjeje, është Tomas Myler, i cili nuk shënoi, ashtu si dhe shënuesi më i mirë i Championsit të fundit, Robert Levandovski. E çuditshme po të mendosh që sa herë Bajerni “bën qofte” me ndonjë kundërshtar, Myler është në linjën e parë.

Tomas Myler. Gazeta Si, 22 tetor 2020

Sulmuesi gjerman figuron në shënimet e arbitrit Oliver, që e ndëshkoi me karton të verdhë në minutën e 21-të, kur ndeshja ishte 0-0. Atletiko sikur po i frikësonte bavarezët në atë moment dhe Myler, sipas spanjolles “AS”, u kap me arbitrin anglez, duke thënë disa fjali që me siguri do të shoqërohen me polemika. “Po tallesh me mua? Po luajmë ndaj kriminelëve të Europës dhe ti më ndëshkon për kaq?” – iu drejtua Myler arbitrit.

Fjalë që tek skuadra e Simeones nuk i kanë pritur mirë. Atletiko e mbylli ndeshjen me 4 të verdhë (Renan Lodi, Koke, Hektor Herrera dhe Torreira), ndërsa Bajerni mori vetëm dy të verdhë (Myler dhe Alaba). Dikush mund të thotë se Atletiko luan me shumë grintë dhe i “kërkon” kartonët, por edhe Myler pak më diplomat mund të ishte treguar…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë