Treg

Po kalojmë nga shqiptarët “analogë” tek ata “digjitalë”

Sabina Veizaj - Ata thonë se bërrylat e tu janë më “të ëmbël” se ata të huaj sepse di si ti shmangësh.

Xhemi Xhelilaj, Erind Alickolli, Taulant Musabelliu, Enid Bala, Klevis Miho e kanë lënë pas ëndrrën europiane dhe janë mbledhur TOK në Tiranë për të eksploruar tregun shqiptar digjital në fushën e reklamave, pasi siç mendojnë vetë ata, ky treg ka ende vend për ta zbuluar.

Xhemi Xhelilaj, drejtor kreativ i Agjencisë së Reklamave, me profesion arkitekt ka jetuar dhe punuar për 10 vjet në Milano. Po ashtu edhe partnerët e tjerë kanë punuar në Gjermani, Poloni, etj.

Në Tiranë, ata ishin profesionistë të lirë dhe një ditë vendosën të mblidheshin TOK (emri i agjencisë).

Agjencia është themeluar dy vjet më parë, me financa personale; kursimet nga punët respektive të gjithësecilit. Zyra e parë, tregon Xhemi ishte një mjedis 40-50 metra katrorë ku të gjithë punonin rrotull një tavoline të vetme.

Zyra aktuale

Sot ata kanë një mjedis trefish më të madh se zyra e mëparshme dhe një staf prej 15 vetësh.

Profesionet e partnerëve dhe të stafit janë të diversifikuar që nga arkitekti, designeri, IT, web developer, etj.

Duke vepruar në një fushë kreative, djemtë nuk e konsiderojnë konkurrencën. Ata mendojnë se tregu ka nevojë për sa më shumë profesionistë të këtij sektori.

Megjithatë, edhe pse tepër të rinj në treg si agjenci, ata i kanë rrëmbyer këtij tregu kaotik, siç e cilësojnë, një llokmë. 

Shqetësimi i Xhemit është konsumerizmi sepse bie ndesh me kreativitetin që është në shtyllën kurrizore të punës së tij.

“Mendoj që tregu në fakt është pak kaotik, në kuptimin që të gjitha punët kreative kanë nevojë për kohën e tyre të kërkimit, maturimit, të analizës dhe shpesh herë kjo anashkalohet për shkak të konsumerizimit. I dua gjërat tani. Por çdo gjë që bëhet shpejt dhe e pa menduar mirë e humbet cilësinë. Kjo është sfida më e madhe që kemi.”

Kur jam kthyer, rrëfen Xhemi, në fillim njerëzit kërkonin një logo me pagesa qesharake, pa e kuptuar peshën dhe vlerën e punës. Edhe unë edhe e gjithë zyra nisëm të përdornim vetëm konceptin Brand. Duhej të mësoheshin me këtë koncept, që ti jepnim vlerë punës dhe profesionit tonë në treg. E krijuar për të çuar një komunikim të caktuar tek konsumatori kërkon orët dhe tarifat e veta. Komunikimi final është diçka tjetër, jo vetëm një stampë e thjeshtë, por mbart vlera dhe e përçon produktin e shërbimin shumë larg dhe lart.

Ai më tregon se përpiqen të flasin me klientët, tua shpjegojnë procesin e punës dhe kohën e domosdoshme që duhet shpenzuar për të pasur cilësinë e kërkuar. “Në shumë raste pranohet dhe mirëkuptohet. Tregu duhet të vijë aty ku duam ne. Brandi si terminologji është relativisht e re. Vlerësohet, dhe njihet shumë në kompanitë e mesme dhe të mëdha, kurse tek individi dhe kompanitë e vogla jo dhe aq. Puna që bëhet në këtë sektor është cilësore, në nivel europian, pasi shumica e personave të kësaj lëmie që punojnë në Tiranë kanë punuar jashtë shtetit. Kemi qenë të gjithë rreth e rrotull Europës derisa vendosëm të bëheshim bashkë.”

“Në harkun e dy viteve do të jetë më mirë”- shpreson Xhemi.

Ai i vlerëson të gjitha agjencitë e reklamave në Tiranë.

Xhemi dhe kompania  e tij e shohin si mision veprimtarinë e tij dhe të brezit të tij. “Ne jemi New Age. Millenials është pak e vështirë ta përkufizosh si term në Shqipëri sepse ne nuk vijmë nga Baby Boombers, ne vijmë nga komunizmi, nuk mund të ekzistonte një term i tillë në atë kohë. Kam përshtypjen se millenialsat shqiptarë duhet të kenë lindur pas 1998-ës. Sapo janë futur tani në tregun e punës. Por duhet t'u jepet fokus, pasi ata janë konsumatorët  e ardhshëm. Ata do të jenë klientët e ardhshëm.”

Prandaj, më shpjegon Xhemi, si agjenci gjëja më e lehtë që na vjen, është të bëjmë urën lidhëse midis dy gjeneratave. “Ne jemi në mes CEO-ve të kompanive të mëdha dhe atyre konsumatorëve 20- 25 vjeçarë që duan një komunikim më ndryshe. Larg kliesheve. Në gjithë botën po ndodh kjo luftë brezash për t'u bërë kapërcimi, siç ndodhi në vitet “80. Edhe në Shqipëri ka ardhur e ne jemi aty për të ndërtuar urën që ti lidhë, duke qenë se ne 30 vjeçarët e sotshëm kemi jetuar aq pak në komunizëm sa ta kuptonim dhe po jetojmë edhe kohën e sotshme të bumit të teknologjisë e mund ta bëjmë lidhjen më së miri. Kjo është një nga pikat e forta që kemi. Analogen dhe atë dixhitalen.”

Bota digjitale dhe detajet janë pika e forta dhe konsiderohen avantazhe shumë të mëdha nga Xhemi.  

“Disavantazhet janë tek kontaktet, mosbesimi si kompani e re sepse tregu nuk është i drejtë, dhe na duhet dy-fish kohë për të krijuar besimin e duhur. Në momentin që është krijuar besimi, të gjithë e kuptojnë punën cilësore.”

Ai e shikon Tok-un në 5 vite me një zyrë jashtë Shqipërie. “Në moshën e interneteit mjafton një klik dhe jemi kudo. Amerikë, vendet e ulta, Kanada, Angli. Ne kemi klientë të huaj; kemi bërë Brande në Amerikë, Europë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë