Pesë shtetas kanë rënë në pranga pasi transportonin disa shtetas nga vendet e Lindjes së Mesme, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kundrejt parave.
Policia e Shkodrës bën me dije se në pranga kanë përfunduar shtetasit: G. N., 23 vjeç, Z. P., 32 vjeç, K. N., 26 vjeç, T. M., 39 vjeç dhe A. D. 24 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
Të arrestuarit e sipërpërmendur dyshohet se kanë marrë disa shtetas të huaj të vendeve të treta, me qëllim për t’i transportuar për në Mal të Zi.
Gjatë rrugës për të shmangur Policinë kanë ndryshuar drejtim duke i futur në pyllin e fshatit Grudë dhe aty kanë dhunuar fizikisht, me qëllim që t’u vidhin sendet personale, por nuk kanë mundur dot dhe janë larguar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 automjete, me të cilat dyshohet që janë transportuar këta shtetas.
Mbi të arrestuarit rëndojnë veprat penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Vjedhja me dhunë e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.