Analize

Plumba e spiunë. Kush fshihet pas masakrës së Kumanovës?

A e sajoni Shërbimi Sekret i Maqedonisë përplasjen e armatosur për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e korrupsionit? Në përvjetorin e tretë të incidentit të Kumanovës, mediat analizojnë provat.

Si shumë rrugë në Maqedoni, rrugica a ngushtë e Tode Mendol në qytetin e Kumanovës ka dy emra jozyrtarë. Shqiptarët e quajnë “Rruga e Trimave”. Të tjerët, “Rruga e Çmendur”.

Por tre vite më parë, në orët e para të mëngjesit të 9 majit, ajo u bë zonë lufte.

“Të shtënat filluan kur ne po luteshim,” rikujton Eljesa Mahmudi, hoxha i xhamisë së vogël të rrugës me banorë më së shumti shqiptarë. “Ne nuk e dinim se çfarë po ndodhte.”

Një shpërthim zgjoi nga gjumi edhe Ramadan Baftiun, një shofer taksie që banonte disa metra larg xhamisë. Rrugica e ngushtë ishte përplot me policë të armatosur me kallashnikovë.

 “U fsheha në bodrum për 14 orë,” tha ai.

Përgjatë dy ditëve të pasuan, njësisë antiterroriste të policisë maqedonase, rrethuan 39 shqiptarë të armatosur të fshehur në tre shtëpi të marra me qira në rrugixcën e vogël.

Të veshur me rroba ushtarake dhe me jelekë antiplumb, ata sulmuan shqiptarët nga shtëpia e Nezir Murtezit, një pensionist që jetonte disa metra larg shtëpive të rrethuara.

“Policia hapi zjarr nga tarraca ime, nga dhoma e ndenjes dhe nga salloni,” tha ai. “Ata qëlluan me çdo gjë që kishin.”

Më vonë u mësua se 31 të armatosurit e rrethuar ishin nga Kosova, veteranë të luftës me Serbinë në fund të viteve 1990. Ata iu përgjigjën policisë me snajperë, automatikë AK-37 dhe mitralozë.

Beteja shkatërroi të gjithë lagjen. Shpërthimet i kthyen shtëpitë në rrënoja dhe i vunë zjarrin makinave. Mjetet e blinduara rrëzuan muret.

Ishte ora 9 e mëngjesit të 10 majit, kur i armatosuri i fundit u dorëzua. Policia numëroi nga radhët e veta tetë të vdekur dhe 37 të plagosur. Dhjetë të armatosur, përfshirë udhëheqësit e grupit, u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Nikola Gruevski, në atë kohë kryeministër, mbajti një fjalim nacionalist në televizion. Me fytyrë të zymtë, ai tha se policia kishte mposhtur një “grup terrorist” që kishte hyrë nga përtej kufirit duke planifikuar “vrasje masive” në komisariate, qendra tregtare dhe aktivitete sportive.

“Një gjë është e sigurt,” tha ai. “Synimi i tyre ishte që të destabilizonin Maqedoninë.”

Tre vite më vonë, Shkupi ka një qeveri të re, por askush nuk i ka ende të qarta motivet e asaj ngjarje.

Në fillim të nëntorit të vitit 2017, Gjykata Penale e Shkupit dënoi 33 persona me 745 vjet burg në total nën akuzat për terrorizëm. Shtatë morën dënime me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët u dënuan me 12 deri në 40 vjet burg. Por gjyqi nuk dha shumë përgjigje për një pyetje që shumë njerëz vijojnë ta ngrenë me këmbëngulje: kush i urdhëroi të armatosurit të shkonin në Kumanovë? Kush fshihet pas masakrës?

Gjyqi nuk arriti të mposhtë as thirrjet për hetim ndërkombëtar mbi incidentin, ndërkohë kur Maqedonia po përpiqet të anëtarësohet në NATO dhe BE, që të dyja të bllokuara nga Greqia fqinje për shkak të një mosmarrëveshjeje të vjetër dypalëshe mbi emrin e vendit.

Prokurorët kanë këmbëngulur se grupi veproi më vete, i etur për të vrarë në emër të kërkimit të më shumë të drejtave për shqiptarët në Maqedoni. Ata patën qenë nën përgjim para se përpjekja për t’i arrestuar të kthehej në një gjakderdhje. Të gjithë të akuzuarit mohuan akuzat për terrorizëm, duke thënë se ata vepruan në vetëmbrojtje pasi policia filloi t’i sulmonte. Disa thanë se kishin qenë viktima të një kurthi të motivuar politikisht, të joshur për të shkuar në Kumanovë nga autoritetet maqedonase,  ku i priste një kurth.

Konflikti në Kumanovë u organizua nga Shërbimi Sekret Maqedonase?

Edhe para gjyqit, spekulimi ishte i madh se autoritetet maqedonase mund të kishin orkestruar një përplasje në Kumanovë, ose së paku mund të kishin toleruar planin e grupit me synimin për të shkaktuar tensione etnike dhe për të tërhequr vëmendjen nga një krizë korrupsioni që kishte mbërthyer qeverinë e asaj kohë, të udhëhequr nga Gruevski dhe nga partia e tij VMRO DPMNE.

Një makinë e shkatërruar dergjet në një rrugë në Kumanovë pak pas masakrës

Mes teoricienëve të komplotit ishte edhe Zoran Zaev, në atë kohë udhëheqës i Socialdemokratëve në opozitë. Ai u tha gazetarëve disa ditë pas përleshjes se kishte indicie të forta se masakra ishte një skenar i orkestruar nga njerëzit në pushtet.”

Në përvjetorin e tretë të incidentit, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN, ka marrë dëshminë e ekskluzive të një zyrtar të lartë të Agjencisë Sekrete Maqedonase, i cili përmbys versionin zyrtar të qeverisë maqedonase. Sipas oficerit, i cili foli në kushtet e anonimatit, luftëtarët në Kumanovë u rekrutuan dhe u armatosën me ndihmën e Agjencisë Sekrete, e cila u ofroi atyre kalim të sigurt për në Kumanovë para se forcat e policisë të ndërhynin.

BIRN nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur informacionin e agjentit, por dëshmitë në gjykatë, të dhënat e nxjerra nga bisedat e përgjuara dhe të dhënat e mjekësisë ligjore që tregojnë se disa nga të armatosurit u ekzekutuan në grup, ofrojnë një panoramë të vlefshme për një roman spiunazhi.

 “Konflikti në Kumanovë u organizua tërësisht nga Agjencia Sekrete e Maqedonisë,” shprehet zyrtari. “Ai ishte një skenar i organizuar keq që shkoi edhe më keq në terren.”

BIRN kontaktoi me Agjencinë Sekrete, por Presidenti Ivanov, i cili mbikëqyr agjencinë dhe drejton Këshillin e Sigurisë Kombëtare, u përgjigj personalisht.

Nëpërmjet zëdhënësve, Ivanov mohoi që agjencia apo kabineti i presidentit të kenë organizuar incidentin në Kumanovë dhe i cilësoi akuzat “një përpjekje e dëshpëruar për të keqinformuar me lajme të rreme dhe për të ndërtuar një perceptim negativ mbi institucionet”.

Zaev, qeveria e të cilit erdhi në pushtet në maj, tha se kërkon rigjykimin e çështjes. Madje autoritetet kanë dhënë shenja se mund të kërkojnë ndihmë nga jashtë për të ndihmuar në heqjen e dyshimeve të mbetura mbi këtë çështje.

Kohë e përshtatshme?

Ndërkohë që pastronin sendet që la pas përleshja, xhama të thyer, metale të deformuara dhe tulla të djegura, për banorët ishte e pamundur të mos rikujtoheshin ditët e errëta të vitit 2001.

Zona përreth Kumanovës pati qenë në zemër të një konflikti dhjetëmujor mes forcave të sigurisë dhe guerilëve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare UÇK, tashmë të shpërndarë. Një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga NATO ndihmoi Maqedoninë të shmangte një luftë civile totale, duke trajtuar shumë nga pakënaqësitë që kishin nxitur kryengritjen, përfshirë mungesën e përfaqësimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë të cilët përbëjnë së paku një të katërtën e popullsisë prej 2.1 milionë banorëve të vendit.

Në marrëveshjen e paqes e vitit 2001 u vendos shqipja gjuhë zyrtare në bashkësitë ku shqiptarët etnikë përbëjnë së paku një të katërtën e të gjithë popullsisë. Ajo garantoi gjithashtu që shqiptarët të kishin përfaqësim proporcional në qeveri dhe në institucionet shtetërore. Në Kumanovë, ku 20 mijë shqiptarë përbëjnë pothuajse gjysmën e banorëve të qytezës, qetësia kishte sunduar që nga ajo kohë. Por ngjarjet e 9 dhe 10 majit ngritën mundësinë e një përplasjeje të re etnike, por edhe për shkak të mos zbatimit të paktit te Ohrit. Ato ngritën gjithashtu edhe një pyetje: pse tani?

Në fjalimin e tij pas përleshjes, Gruevski i bëri thirrje “atyre që kritikojnë opozitën ose qeverinë që tashmë të ndalojnë, sepse vendi kishte nevojë për unitet”.

Për disa kritikë, koha në të cilën ndodhi masakra ishte tepër e leverdishme për qeverinë. Gruevski ishte përfshirë në skandal që nga shkurti i vitit 2015, kur Zaev filloi të publikojë ato që i quante “bomba” informative”, pjesë të përgjimeve sekrete që sipas tij provonin se qeveria kishte përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 20 mijë qytetarë. Opozita pretendoi se përgjimet implikonin zyrtarët e lartë në krime të shumta, përfshirë manipulim zgjedhor, abuzimin me pushtetin dhe fshehjen e një vrasjeje, akuza që qeveria i mohoi, duke thënë se përgjimet ishin sajuar nga agjentë të huaj.

Skandali i përgjimeve shkaktoi protesta dhe kërkesa për dorëheqjen e Gruevskit. Në këto kushte, kritikët ngritën pyetje nëse incidenti i Kumanovës mund të ishte sajuar për të çmontuar përpjekjet për rrëzimin e tij.

Gruevski mohoi të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se përgjimet ishin sajuar dhe rrjedha e tyre ishte pjesë e një komploti për të destabilizuar vendin nga ana e “shërbimeve sekrete të huaja” të cilat nuk kishin emër, në bashkëpunim me kundërshtarët e tij politikë në Maqedoni. Një nga përgjimet që u publikua më 15 maj të vitit 2015, supozohet që mbart një bisedë mes kreut të kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer, dhe ministres së brendshme Gordana Jankuloska, në të cilën ata duket se po luajnë me idenë e nxitjes së një konflikti.

“Pse të mos bëjmë një luftë me shqiptarët?” i thotë Protugjer Jankullovskës.

“Ne mund t’i dërrmojmë ata brenda një ore!” përgjigjet Jankuloska.

Pak ditë pas përleshjes, Jankuloska dha dorëheqjen. Po kështu bëri edhe Sasho Mijalkov, shefi i policisë sekrete dhe kushëri i Gruevskit. Që të dy thanë se dorëheqjet e tyre nuk kishin të bënin me Kumanovën por synonin të ndihmonin zgjidhjen e krizës politike që po konsumonte vendin dhe për të cilën ata akuzonin opozitën.

Vetë Gruevski dha dorëheqjen, në janar 2016, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE për t’i dhënë fund krizës së shkaktuar nga skandali i përgjimeve. Në qershor të vitit 2017, ai dhe grupi i tij u akuzuan për manipulim zgjedhor dhe krime të tjera. Nëse Kumanova ishte një hile nga qeveria për të shmangur kritikat, ajo nuk funksionoi.

Goran Mitevski, drejtor i Agjencisë së Spiunazhit mes viteve 1999 dhe 2001, tha në nëntor 2017 se kishte dëgjuar raporte të pakonfirmuara se incidenti “u organizua nga zyrtarë të lartë të shtetit”. I pyetur se çfarë mund të kishte përfituar qeveria nga organizimi i një incidenti të tillë, ai spekuloi se Gruevski mund të ishte duke kërkuar një justifikim për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të thirrjeve për zgjedhje të parakohshme.

“Por për të provuar të gjithë këtë, ka nevojë për një hetim ndërkombëtar me përfshirjen e ekspertëve të huaj apo agjentëve nga rajoni apo nga vende të tjera të huaja,” tha ai.

Plumbit e shpërndarë në tokë në Kumanovë.

Paralajmërimet

Ndërkohë qëe plumbat përplaseshin nëpër muret e Kumanovë, skeptikët u bënë gjithnjë e dyshues. Brenda pak orësh nga ngjarja, ne media sociale filloi të qarkullonte një fjalim i mbajtur pesë javë më herët nga një ish-shef policie i quajtur Stojance Angelov. Ai fjalim nuk kishte marrë shumë vëmendjen në atë kohë por tashmë dukej kuptimplotë.

Kreu i policisë është tashmë udhëheqës i një partie të vogël në opozitë të quajtur Dinjiteti. Më 4 prill të vitit 2015, ai iu drejtua protestuesve anti-qeveritarë në Shkup, duke u thënë se: “Dikush në vendin tonë ka përgatitur një plan monstruoz për të shkaktuar një konflikt ndëretnik. Unë kam informacion se dikush u ka dhënë dy milionë euro disa shqiptarëve që nuk kanë fare të bëjnë me UÇK-në, disa kriminelëve nga Lipkova [Pranë Kumanovës]. Puna e tyre është që të pretendojnë se janë pjesë e UÇK-së, dhe të vrasin disa oficerë policie apo ushtarë dhe të shkaktojnë një konflikt ndëretnik.”

Në nëntor të vitit 2017, Angelov i tha BIRN se informacioni i tij i kishte ardhur nga “njerëz që punonin për sigurinë shtetërore dhe shërbime të tjera” dhe se e kishte verifikuar me anë të burimeve të tjera sekrete.

“Plani tyre ishte që të paguheshin kriminelë për të rekrutuar një grup shqiptarësh që do të të nisnin sulme nëpër Maqedoni, gjasme për të mbrojtur shqiptarët nga nëpërkëmbja shtetërore”, tha ai. “Unë thashë në atë kohë se qeveria ishte nxitësja e këtij akti të përgjakshëm. Unë besoj se askush nuk dëshironte pasoja tragjike, por them se për një çast ata humbën kontrollin”, shtoi Angelov.

Gjashtë ditë pas fjalimit të Angelov, dikush hodhi një granatë jashtë selisë së qeverisë në Shkup. Nuk pati viktima dhe dëmi material ishte minimal. Dikush që e quante veten “Komandant Kushtrimi” mori përgjegjësinë në një email dërguar në media që mbante logon e UÇK-së dhe në mënyrë acaruese, firmën e falsifikuar të guvernatorit të Bankës Europiane.

Kushtrimi kërcënoi me sulme të tjera deri sa të gjithë shqiptarët të kishin të drejta të barabarta me maqedonasit. Më 3 maj të vitit 2015, një bombë shpërtheu në qytetin e Tetovës në selinë qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim, partia më e madhe e shqiptarëve dhe partner  në qeveri. Askush nuk u vra apo plagos dhe askush nuk mori përgjegjësinë për sulmin. Por më 21 prill të vitit 2015 luftëtarët e supozuarit të UÇK-së lanë gjurmën e tyre. Policia njoftoi se 40 njerëz të armatosur dhe me maska që mbanin simbole të UÇK-së kishin kaluar nga Kosova dhe kishin sulmuar një komisariat në fshatin Goshince.  Ata lidhën dhe rrahën katër policë para se të largoheshin dhe morën edhe një arsenal shumë të madh me armë dhe municione, përfshirë një duzinë automatikësh.

BDSH-ja paralajmëroi shqiptarët dhe maqedonasit të mos binin pre e këtij “provokimi”.

Agjencia maqedonase e lajmeve Zhurnal citoi ish-komandantin e UÇK-së në Lipkovë tek deklaronte se shërbimet sekrete e kishin sajuar incidentin e Goshincës për të nxitur përplasje etnike dhe për të shtyrë maqedonasit të mbështesnin qeverinë.

“Qeveria ka paguar disa njerëz për të krijuar një problem këtu dhe për të manipuluar opinionin publik,” deklaroi ai. Pesë ditë pas sulmit në Goshincë, një i ri i quajtur Mirsad Ndrecaj, më vonë i identifikuar si udhëheqësi i vrarë i të armatosurve të Kumanovës, postoi një mesazh në Facebook duke marrë përgjegjësinë për grabitjen.

“UÇK ka goditur gjithmonë aty ku armiqve u dhemb më shumë”, shkroi ai. “Ne nuk duam luftë, por kur ajo na imponohet, ne do të jemi gjithmonë gati për të mbrojtur kombin shqiptar”.

Autoritetet konfirmuan më vonë se armët e kapura në Goshincë ishin përdorur edhe në Kumanovë. Përveç armëve të gjetura në rrugën ku ndodhi masakra, policia gjeti edhe 65 automatikë dhe tetë karikatorë, të groposura në një pyll pranë qytetit. Një ditë pas sulmit në Goshincë, VMRO DPMNE njoftoi se ajo do të ndryshojë datën e kongresit të partisë, në të cilin Gruevski po kandidonte pa kundërshtarë për një mandat të katërt si kryetar i partisë. Kongresi ishte planifikuar të zhvillohej në Kumanovë më 9-10 maj por u mbajt në 2-3 maj.

I pyetur mbi ndryshimin e datave, zëdhënësi i VMRO DPMNE tha se partia e vendosi të ndryshonte datën e kongresin në përgjigje të përshkallëzimit të krizës politike për të cilën ia hodhi fajin opozitë. “Partia nuk kishte asnjë informacion mbi grupin dhe qëllimet e tyre për të hyrë në Kumanovë”, tha ai.

Brenda njërës nga shtëpitë ku ishin fshehur personat e armatosur në Kumanovë.

Takimi sekret

Udhëheqësi i të armatosurve të Kumanovës Mirsad Ndrecaj, ishte ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë konfliktit me Serbinë. Një muaj pasi ai u shpall i vdekur, mediat në Kosovë publikuan një përgjim telefonik që supozohej se kishte të bënte me një telefonatë mes Ndrecajt dhe një burri që më vonë u identifikua në gjykatë si një agjent shqiptar që punonte për Agjencinë e Shërbimeve Sekrete të Maqedonisë. Emri i agjentit ishte Shenasi Memedi.

“Të dërgova një mesazh, por numri yt nuk po punon,” thotë Memedi në një nga përgjimet, që duket se janë bërë pak kohë pas ngjarjeve në Goshincë. “E pashë reagimin mbrëmë.”

Ndrecaj: “Cilin?”

Memedi: “Atë që shkrove në Facebook. Që UÇK pushtoi stacionin.”

Ndrecaj: “Dhe? Të pëlqeu?”

Memedi: “Ishte shumë, shumë i mirë.”

Mehmeti deklaroi pak ditë më vonë se ai ishte i përfshirë në planifikimin e operacionit në Kumanovë. Por zyrtari i lartë i shërbimeve sekrete deklaroi se një tjetër agjent ishte “ideatori” i incidentit: Sinisha Aleksovski, një agjent i Shërbimeve Sekrete i cili është gjithashtu pjesë e kabinetit të Presidentit Ivanov si këshilltari i tij për sigurinë.

“Çdo gjë ishte nën komandën e Sinisha Aleksovskit, këshilltarit të presidentit për sigurinë ndërsa unë isha në terren,” tha ai.

Presidenti Ivanov, i cili vjen nga radhët e VMRO DPMNE dhe ka qenë kreu i shtetit që nga viti 2009, deklaroi se as ai dhe asnjë nga kabineti i tij nuk kishin të bënin me çfarë ndodhi në Kumanovë.

“As unë si president dhe as kabineti im nuk jemi të përfshirë në asnjë lloj mënyre në rastin e Kumanovës,” tha ai për BIRN në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të ngritura për Shërbimet Sekrete. Nga gjenerata e lajmeve false, unë pres që herën tjetër të më lidhin me vrasjen e Presidentit të SHBA-së John F Kennedy. Tregoni së paku një fakt, jo një thashethem, spekulim apo gënjeshtër, por një fakt që të lidhë Kabinetin e Presidentit me aludimet tuaja. Dua jo vetëm të informoj publikun por t’u dërgoj gjithashtu një mesazh gjeneruesve të lajmeve false: ne nuk do të rrimë duarkryq”

Edhe pse Maqedonia është një demokraci parlamentare dhe fuqitë e presidentit janë të kufizuara, Ivanov është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Ai emëron gjithashtu drejtorin e Shërbimeve Sekrete.

Kritikët e shohin Ivanovin si një partizan të fortë të partisë së tij VMRO DPMNE. Në mars 2017 ai shkaktoi zemërim kur refuzoi t’i jepte mandatin Zaevit, pasi LSDM-ja formoi një qeveri me partitë e shqiptarëve. Në maj të vitit 2017 Ivanov më në fund u dorëzua.

Por përgjimet telefonike të publikuara në Kosovë aludonin gjithashtu edhe për një takim në Prishtinë, mes oficerit të shërbimeve sekrete, Memedit, dhe Ndrecaj.

Memedi: “Nesër do të jem në Ferizaj bashkë me gruan, vajzën dhe djemtë. Mendova nëse je në Prishtinë, apo ku je ti?

Ndrecaj: “Ne jemi në Prishtinë.”

Memedi: “Do të të telefonoj nesër atëherë dhe do të takohemi diku për një kafe.”

Ndrecaj: “Në rregull, do të takohemi në Prishtinë.”

Memedi: “Përshëndete Beg [Rizaj, një udhëheqës tjetër i vrarë në Kumanovë].”

Ndrecaj: “Ai të përshëndet gjithashtu.”

Në gjykatë, shumë të akuzuar përshkruan së paku një takim në Prishtinë mes Ndrecajt dhe Memedit. Ata thonë se ata u takuan për t’u përgatitur për Kumanovën dhe se takimi ishte regjistruar me video. Një nga të dyshuarit, Andi Krasniqi, tha se regjistrimi është tri orë e 17 minuta i gjatë, por deri më tani kjo video nuk është shfaqur kurrë.

“Ai [Ndrecaj] takoi Shenasi Memedin dhe një djalë tjetër, maqedonas,” i tha Krasniqi gjykatës. “Unë nuk e di emrin e tij, por di se edhe ai është nga shërbimet sekrete.”

Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, liderët e dyshuar të personave të armatosur të Kumanovës

Nasuf Bekiri, një i akuzuar tjetër, tha se bashkëudhëheqësi Beg Rizaj ishte gjithashtu në takim. “Ajo kasetë ekziston dhe do të publikohet,” tha ai. “Ata planifikuan projektin, ku duhej të hynin dhe çfarë duhej të bënin.”

BIRN pyeti Shërbimet Sekrete nëse oficerët e saj janë takuar me anëtarë të grupit para përplasjes së armatosur. Presidenti Ivanov u përgjigj, duke thënë se: “Pyetja juaj i është bërë personit të gabuar. Drejtoja pyetjen zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja, organeve të shtetit dhe zyrtarëve politikë të cilët kishin komunikime të vazhdueshme me krerët e grupit. Pyeti ata mbi kërcënimet për vrasje, zhvatje, shantazh, dhunë fizike dhe si ata nuk i raportuan këto ngjarje, kontaktet dhe natyrën e bisedave.”

Mitevski, ish-drejtori i agjencisë se spiunazhit tha se nuk kishte asnjë mënyrë se si të armatosurit të arrinin deri te rruga Tode Mendol në Kumanovë me armatimet që mbanin me vete, pa bashkëpunimin e Shërbimeve Sekrete.

Plumba në ballë

Pa provën e videos, vetëm të pranishmit mund të konfirmojnë se çfarë u diskutua mes Memedit, dy udhëheqësve të grupit dhe spiunit të dytë të paidentifikuar që përmendet nga Krasniqi. Memedi nuk u lejua të dëshmonte në gjykatë me parimin e sekretit shtetëror pasi shefi i tij, Drejtori i Shërbimeve Sekrete, Zoran Ivanov, dërgoi një letër në gjykatë. Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj janë që të dy të vdekur. Misteri rrethon edhe vrasjet  e tyre. Dëshmitë në gjykatë dhe provat e mjekësisë ligjore sugjerojnë se ata mund të mos jenë vrarë në luftime, siç raportohet. Dy ditë pas përplasjes së armatosur, Ministria e Jashtme e Maqedonisë tha në një letër për ambasadën e Kosovës në Shkup se Ndrecaj dhe Rizaj u kapën të gjallë, krahas një burri të quajtur Arben Rexhaj, i cili më vonë u llogarit mes të vdekurve. Por ministria e quajti më vonë këtë letër si një raportim të gabuar.

Raportet e mjekësisë ligjore që iu treguan gazetarëve të BIRN nga një avokat mbrojtës tregojnë se Rizaj dhe Rexhaj ishin vrarë që të dy me një plumb të vetëm në ballë.

Raportet nuk japin të dhëna mbi distancën e plumbave.

“Në eksperiencën time, vlerësimi i distancës shkruhet gjithmonë,” tha avokati mbrojtës Naser Raufi. “Ky është raporti i parë që kam parë pa një vlerësim të tillë.

Bazuar në raportet dhe në fotografitë, avokati tha se ka gjasa që udhëheqësit të jenë qëlluar nga një distancë e afërt.

“Kjo lloj e shtëne mund të arrihet vetëm nga një distancë shumë e afërt, për shembull një metër,” tha ai. “Nuk ka mundësi që kjo të ketë ndodhur gjatë luftimeve, siç thotë prokuroria. Akuza thotë se luftëtarët, ose udhëheqësit e ekzekutuar, nuk ishin ballë për ballë me policinë në asnjë moment gjatë betejës. Kjo afërsi ndodh vetëm kur dikush ekzekutohet”, shtoi ai.

I akuzuari Andi Krasniqi tha në gjykatë se Ndrecaj dhe Rizaj ishin që të dy gjallë kur të fundit e grupit u dorëzuan rreth orës 9 të mbrëmjes. Një i dyshuar tjetër, Rufki Dogani, tha se ai i kishte parë ata të gjallë në një stacion policor pas përleshjes.

Një flamur shqiptar varet në mesin e mbeturinave të një ndërtese të dëmtuar rëndë.

Teori komploti

Të afërmit e të armatosurve të akuzuar i shohin ata si heronj që shkuan në Maqedoni për të luftuar për të drejtat e shqiptarëvetë margjinalizuar, por u tradhtuan nga autoritetet që i kishin joshur të shkonin. Fadil Elshani, babai i të akuzuarit Bajram Elshani, erdhi në Shkup në korrik 2017 për të ndjekur gjyqin.

“Djemtë tanë erdhën këtu për arsye patriotike,” tha ai. “Nëse do të kishin ardhur për terrorizëm, ata do të kishin vrarë fëmijë, pleq apo gra.”

Ylber Ndrecaj, vëllai i udhëheqësit të grupit, foli për BIRN në Prishtinë pas një ceremonie përkujtimore për dyvjetorin e rrethimit.

“Ata nuk shkuan atje në kokë të vetë,” tha ai. “Kjo tezë  u miratua nga shumë politikanë nga Maqedonia. Dhe e them këtë mbështetur në burime shumë të sigurta, jo thjesht thashetheme.”

Shqiptarët nuk janë të vetmit që mendojnë se rrethimi ishte në një farë mënyre i orkestruar nga zyrtarët maqedonas. Shumë maqedonas të Kumanovës tregohen gjithashtu cinikë.

“Ata njerëz morën para për të ardhur në Kumanovë dhe për të provokuar incidente, me synimin për të shkaktuar luftë në Maqedoni,” tha një burrë në sheshin kryesor të Shkupit.

Edhe babai i njërit prej policëve të plagosur në ngjarje besonte këto teori  komploti. “Çdo gjë u sajua nga politikanët,” tha i BIRN, duke refuzuar të identifikohej. “Tetë policë u vranë për asgjë.”

Që nga rrethimi, shtëpitë e shkatërruara janë rindërtuar me tulla të kuqe, falë një fondi kompensimi nga qeveria. Por njëra vijon të qëndrojë e rrënuar. Ajo i përket Irfan Lutfiut, një berber që u dënua me 14 vjet burg nën akuzat se u bashkuan me grupin pasi ata erdhën në Kumanovë. Disa shpresojnë që ajo të mbetet e tillë si rikujtesë për masakrën.

“Ishte kaq e tmerrshme,” thotë hoxha Eljesa Mahmudi. “Ne nuk do ta harrojmë kurrë atë  ndodhi. Ky ishte një skenar i përgatitur nga qeveria … Falë Zotit nuk pati viktima civile.”/BIRN/ 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë