Lajme

Testi i Magjistraturës, kandidatet për në Kushtetuese, më dobët se studentët e shkollës

Mentor Kasa - Arta Vorpsi është kandidatja e renditur e para në të gjitha klasifikimet e bëra nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për të zënë njërën nga shtatë karriget e mbetura bosh në Gjykatën Kushtetuese, por nëse ajo do të konkurronte për në Shkollën e Magjistraturës, shkolla që përgatit gjyqtarët dhe jep statusin e magjistratit, gjasat janë që të mos e fitonte.

Komisioni i Ligjeve në Kuvend nisi këtë të martë marrjen në pyetje të kandidatëve për plotësimin e njërës prej shtatë vakancave të mbetura në Gjykatën Kushtetuese, ku aktualisht anëtarë janë vetëm Vitore Tusha dhe Besnik Muçi, ky i fundit i emëruar nga Presidenti vetëm pak ditë më parë, por me njërën këmbë ende në vetting.

Seanca nxorri në pah se të tre kadidaturat që dolën para Komisionit të Ligjeve nuk kanë kapur pikët e nevojshme në testin e Shkollës së Magjistraturës, që në një rast hipotetik, do t'i bënte anëtare të kësaj shkolle.

Lista e fituesve për Shkollën e Magjistratutrës për vitin 2017-2018 mbyllet me 212.5 pikë, kufi që asnjëra prej kandidateve për në Gjykatën Kushtetuese që dolën në Komisionin e Ligjeve nuk e kap. Gazeta Si, 29 tetor 2019

Testi ndahet në dy faza. Faza e parë është e strukturuar në formë pyetjesh me alternativa, nëpërmjet të cilave testohen njohuri të karakterit të përgjithshëm intelektual, gjuhësor dhe profesional të subjektit. Përgjigjet jepen në mënyrë skematike, pa fjalë, sipas teknikës “Scantron”.

Faza e dytë është testi profesional që ka natyrë praktiko-teorike dhe përfshin një pyetje teorike, si dhe tri raste nga praktika gjyqësore, përkatësisht nga fushat e të drejtës private (civile, familjare, e punës, tregtare) dhe e të drejtës procedurale civile; nga fusha e të drejtës penale dhe procedurale penale; si dhe nga fusha e të drejtës administrative dhe e të drejtës publike (kushtetuese, të drejtat e njeriut, ndërkombëtare, legjislacioni i BE-së).

Testi është i njëjti test që i nënshtrohen edhe kandidatët për formim fillestar. Por, në rastin e subjekteve të vettingut testi në vetvete kryhet për efekt vlerësimi. Ai nuk ka për qëllim që të rikthejë subjektet sërish në bankat e shkollës, por të ndihmojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në vlerësimin e aftësive profesionale të subjekteve, një nga tre shtyllat e rivlerësimit.

Deputeti dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, Ralf Gjoni e pyeti kandidaten Arta Vorpsi mbi rezultatin e arritur gjatë testimit nga Shkolla e Magjistraturës dhe nëse me rezultatin e marrë në një rast hipotetik do ta fitonte këtë shkollë apo jo. Në përgjigjen e marrë vetë Vorpsi pranoi se kishte kapur më pak se 60 pikë në testin "Scantron" sa është kufiri i vendosur për t’u bërë pjesë e Shkollës së Magjistraturës.

“Nuk kam konkurruar për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës. Testi ka qenë për efekt të procesit të rivlerësimit kalimtar, të cilit ishte i detyruar që t’u nënshtroheshin edhe këshilltarët e Gjykatës Kushtetuese. Të gjithë iu nënshtruam këtij testi për të mbajtur vendin e punës. Askush nuk ka konkurruar për t’u bërë gjyqtar. Në këtë kontekst, as unë nuk kam konkurruar për t’u bërë gjyqtare. Unë kam marrë 57 pikë nga 100 pikë në total”, deklaroi Vorpsi.

Megjithatë, edhe shifra “57” që dha Vorpsi para Komisionit të Ligjeve rezulton e pasaktë. Sipas vendimit numër 17 të datës 21 maj 2019 të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Arta Vorpsi ka marrë 56 pikë në testin elektronik dhe jo 57 dhe 145 pikë nga 200 në total në testin profesional.

Pikët e marra nga tre kandidatet për në Gjykatën Kushtetuese gjatë testimit nga Shkolla e Magjistraturës. Gazeta Si, 29 tetor 2019

Por, nuk është vetëm Arta Vorpsi. Edhe Elsa Toska, kandidatja e renditur e dyta në listën me tre emra që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka dorëzuar në Kuvend, nuk i ka kapur 60 pikët nga 100 pikë në total të testit Scantron të Shkollës së Magjistraturës. Ajo ka marrë 57 pikë në testin elektronik dhe 153 pikë në testin profesional.

Pra, në total Arta Vorpsi ka marrë 201 pikë, ndërsa Elsa Toska 210 pikë. Nëse të dyja këshilltaret ligjore të Gjykatës Kushtetuese, që tashmë synojnë marrjen e statusit të anëtarit të gjykatës më të lartë në vend, do të konkurronin për vitin akademik 2017-2018 për t’u bërë pjesë e Shkollës së Magjistraturës, asnjëra prej tyre nuk do të fitonte. Lista me 15 fituesit e Shkollës së Magjistraturës mbyllet me 212.5 pikë, pra 2.5 pikë më shumë se pikët e Elsa Toskës dhe 12.5 pikë më shumë se pikët e Arta Vorpsit.

Kandidatja e tretë, Fiona Papajorgji shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë, duke deklaruar se kishte kapur 75 për qind në testin profesional dhe se nuk kishte arritur kuotën e 60 pikëve në testin elektronik. Kjo do të thotë se në testin profesional, Papajorgji ka arritur 150 pikë, që nëse do t’u shtojmë 59 pikë të tjera, pra numri më i madh poshtë 60-ës, as ajo nuk do të fitonte Shkollën e Magjistraturës.

Debatet në Komision

Të treja kandidatet e nisën fjalën duke vlerësuar reformën në drejtësi dhe ligjin e vettingut. Elsa Toska e cilësoi praninë e saj para Komisionit të Ligjeve si kandidate për në Gjykatën Kushtetuese si produkt i një procesi sa sfidues, aq edhe meritokratik.

Ajo paralajmëroi se aktualisht janë 120 çështje që presin vendim nga Gjykata Kushtetuese dhe se numri i këtyre çështjeve pritet të rritet me vënien në funksion të Gjykatës së Lartë. Toska kërkoi një strategji për menaxhimin dhe përballimin e fluksit.

Toska nuk shfaqi asnjë vërejtje për ligjin aktual për Gjykatën Kushtetuese, që në këndvështrimin e saj ofron standardet më të mira. Por, kur u pyet nga deputeti i opozitës parlamentare, Adriatik Alimadhi në lidhje me çështjet e relatuara prej saj në Gjykatën Kushtetuese, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ndërhyu duke i këshilluar që të mos fliste për çështje konkrete.

Kjo shkaktoi një debat mes anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, ku Alimadhi këmbënguli se kandidatja për anëtare në Gjykatën Kushtetuese nuk pengohej nga asgjë për të folur për çështje të caktuara në detaje. Në total, çështjet e relatuara nga Elsa Toska në Gjykatën Kushtetuese janë 43, nga të cilat 17 kanë kaluar dhe 26 të tjera jo. Për kategorinë e dytë u interesua Alimadhi.

Toska e justifikoi numrin e lartë të çështjeve të kthyera me ankimimet tej kompetencave nga ana e gjyqtarëve të zakonshëm, që i janë adresuar Gjykatës Kushtetuese.

“Unë në Gjykatën Kushtetuese, në vitet e fundit jam marrë me çështje që investohet Gjykata Kushtetuese nga gjyqtarë të zakonshëm. Kam dhënë mendime moskalimi bazuar me moskompetencën për çështjet e caktuara”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë