Futboll

Play-off-i i Ligës së Konferencës, Partizani udhëton që sot drejt Kazakistanit

Gazeta Si – Përveçse do të ndeshet me një kundërshtar të fortë në ‘Play-off’-in e Ligës së Konferencës, Astanën, Partizani ka edhe një kundërshtar tjetër për këtë sfidë: largësinë. Ndeshja e parë luhet në Kazakistan të enjten, por të kuqtë do të udhëtojnë që sot drejt këtij vendi.

Kampionëve të Shqipërisë u duhet të udhëtojnë më shumë se 5 orë me avion, që do të thotë lodhje e madhe për ta. Skuadra e trajnerit Zoran Zekiç pritet të kryejë dy seanca stërvitore në Kazakistan për t’u ambientuar me terrenin dhe temperaturat.

Partizani ne stervitje. Gazeta Si, 22 gusht 2023

Stërvitja e së hënës ishte e fundit për Partizanin në Shqipëri. Me të kuqtë është bashkuar së fundi edhe mbrojtësi Altin Bytyçi, blerja e ardhur nga Kukësi. Ndeshja e parë mes Astanës dhe Partizanit luhet në orën 16:00 (ora shqiptare), në stadiumin "Astana Arena". Një ndeshje kjo që do të përcaktojë shumë sa i takon objektivit për kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, që do të ishte një arritje historike.

Partizani është e vetmja skuadër e Superiores që ka mbetur në kupat e Europës. Të kuqtë nuk do të luajnë në fundjavë në kampionat, pasi ndeshja e tyre me Teutën është shtyrë nga FSHF. Në ‘Play-off’-in e Ligës së Konferencës marrin pjesë edhe Ballkani kampion i Kosovës dhe Struga kampione e Maqedonisë së Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë