Politike

Platforma zyrtare, kufijtë jo pjesë e negociatave Kosovë-Serbi

Kosova nuk do të diskutojë për shkëmbime territoresh dhe as nuk do të kërkojë bashkimin e Luginës së Preshevës. Të paktën kështu thuhet në platformën e përpiluar nga ekipi negociator i Prishtinën zyrtare për dialogun me Serbinë, e cila është dorëzuar në Kuvend.

Ndryshe nga kërkesat e presidenti Hashim Thaçi, ekipi i ri negociator nuk kërkon përfshirjen e kufijve në bisedimet zyrtare me Beogradin, por formimin e një Tribunali Special për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve dhe kompensim i të gjitha dëmeve të luftës në Kosovë. Kjo platformë kërkon po ashtu edhe plotësimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, por nuk kërkon bashkimin e saj me Kosovën.

Duke njoftuar se kishte marrë draftin zyrtar për negociatat, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se ky është në një moment vendimtar për fatin e shqiptarëve të Kosovës dhe se përmes dialogut do të arrihet që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, me anë të kësaj marrëveshjeje nuk cenohet asnjë interes kombëtar. “Dialogu me Serbinë duhet të ndodhë, t’i besojmë vetes dhe partnerëve tanë, ka ardhur koha të përmbyllim këtë sfidë”, tha ai.

Kadri Veseli

Megjithatë, Veseli u ndal tek taksa me Serbinë, duke thënë se ka qenë vendim i drejtë, mirëpo se pas kërkesës së SHBA-se duhet të pezullohet. “Nuk do të lejoj që SHBA-ja të jetë kundër nesh”, tha ai.

Ndërkohë, dy bashkëkryesuesit e delegacionit të negociatave, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj deklaruan se bisedimet me Serbinë do të zhvillohen nën kornizat e Kushtetutës së Kosovës dhe integriteti territorial nuk do të jetë një nga temat në tryezën e Brukselit.

“Marrëveshja përfundimtare duhet çojë drejt themelimit të njё tribunali special për hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve tё luftës tё kryera nga Serbia nё vitet 1998 dhe 1999. Marrëveshja duhet të sigurojë afate tё arsyeshme kohore pёr hetime dhe gjykime të tilla. Mosndëshkimi për krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare nuk do të tolerohet”, thuhet në një nga parimet e kësaj platforme.

Po ashtu, kërkohet edhe kompensimi i viktimave të luftës, zbardhja e fatit të personave të pagjetur, drejtësi për viktimat e dhunës seksuale si dhe kthimi i pronave.

Platforma e dialogut kërkon edhe shfuqizimin e Rezolutës 1244, duke theksuar se Kosova nuk është më një shtet i sapodalë nga lufta. “Pavarësia e mbikëqyrur ndërkombëtarisht u përmbyll me sukses në vitin 2012. Ky fakt duhet të rezultojë me shfuqizimin e plotë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së (1999)”, thuhet në draftin zyrtar.

Sipas tij, rezultati përfundimtar i bisedimeve, përveç njohjes reciproke, përfshin edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Kjo duhet të ndodhë për të siguruar që marrëveshja të ketë shkallën e nevojshme të qëndrueshmërisë dhe mbështetjes nga komunitetit ndërkombëtar. Rezultati përfundimtar në këtë proces është anëtarësimi i plotë i Kosovës në Kombet e Bashkuara”, përcakton platforma.

Ajo i është dërguar po ashtu edhe Bashkimit Evropian, duke i kujtuar Serbisë se nuk mund të anëtarësohet në union, në qoftë se nuk arrin dhe nuk zbaton marrëveshjen me Kosovën.
Një nga objektivat e Kosovës në platformë thuhet se do të jetë edhe plotësimi i të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Serbi.

Parimet e kësaj platforme janë përmendur edhe më parë nga ekipi negociues dhe nga qeveria e Kosovës, por presidenti Thaçi është i bindur se ka ende kompromise që duhet arritur me Serbinë, të cilat disa herë i ka quajtur edhe si ‘të dhimbshme’.

Përveç PSD-së, pjesa tjetër e opozitës në Kuvend, kanë kundërshtuar formatin e deritanishëm të Dialogut, të udhëhequr nga presidenti Thaçi. LDK-ja dhe Vetëvendosja as nuk kanë pranuar që të jenë as pjesë të ekipit negociator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë