Politike

Platforma për të rinjtë, Bora Muzhaqi thumbon Rovena Vodën: Për tu punësuar s’ hyn më në lojë arka e peshkut

“Platforma ‘Gati për Shqipërinë’, është një format aplikimi ku ndryshe nga herët e tjera nuk hyn në lojë, as partia, as miqtë, as kushërinjtë, as shokët, madje madje as larg qoftë arka e peshkut. Ne jemi mbledhur aty bashkë dhe jemi përpjekur shumë fort që t’i mbledhim këta të rinjtë dhe të ndajmë eksperiencën e tyre...”, tha në një konferencë për shtyp koordinatorja e kësaj platforme, njëherazi zv-ministre e Arsimit, Bora Muzhaqi, duke thumbuar drejtpërdrejtë ish zv-ministren e Brendshme Rovena Voda, e cila është në “arrest shtëpie” e akuzuar për korrupsion, pasi kishte premtuar një vend pune, në këmbim të parave dhe një arke peshk.

Platforma ‘Gati për Shqipërinë’ është një nismë e iniciuar nga kryeministri Edi Rama, për të ftuar sa më shumë të rinj, të arsimuar brenda dhe jashtë vendit, që të bëhen pjesë e administratës.

Zv/ministrja e Arsimit, Bora Muzhaqi, njëherazi koordinatore e platformës tha të enjten përmes një konference për shtyp se kanë aplikuar 701 të rinjtë nga fusha të ndryshme, ku kryeson  ekonomiku, jurisprudenca, teknologjia e informacionit... etj.

Muzhaqi tha se 51% e aplikuesve jetojnë jashtë Shqipërisë dhe 49% brenda vendit.

“Ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta”, tha më herët kryeministri Rama gjatë takimit të radhës me të rinjtë e kësaj platforme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë