Lajme

Plantacion me hashash afër Kozanit, tre shqiptarë dhe një grek në pranga

Tre shqiptarë dhe një grek u arrestuan nga policia e Kozanit në veri të Greqisë për kultivim të hashashit në një zonë pyjore.

Mediat greke thanë se policia ka identifikuar dhe asgjësuar rreth 1200 bimë kanabis. Bimët ishin mbjellë në një zonë të izoluar malore në një tokë të hapur në mes të një pylli të dendur.

Nga pamjet e shpërndara nga policia greke rezulton se bima kishte kapur një lartësi deri mbi tre metra dhe ishte në fazën e fundit të pjekjes, thuajse gati për korrjen e saj.

Policia greke nuk jep identitetet e personave të arrestuar, por thotë se ata janë tre shqiptarë të moshës 43-45 vjeç dhe një shtetas grek 54 vjeç.

Veç bimëve të sekuestruara, policia thotë se janë sekuestruar disa automjete, fara hashashi, pistoleta dhe armë të ftohta. Sipas përllogaritjeve të autoriteteve greke, nëse droga do të hidhej në tregun e pakicës ajo do të kapte një vlerë prej 1 milion eurosh.

Mediat greke kanë ngritur disa herë shqetësimin se trafikantë shqiptarë dhe grekë po ndryshojnë strategjinë dhe shkurtojnë kostot duke e kultivuar hashashin në territorin greke, por duke marrë përsipër rriskun më të lartë për t’u kapur.

Sipas raporteve të greke, roli i shqiptarëve është gjetja e farës dhe “ekspertiza” në kultivimin e bimëve, ndërsa grekët sigurojnë zonën ku do të mbillet dhe logjistikën tjetër të nevojshme për rritjen e bimëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë