Një gjykatë britanike ka dënuar me burgim të përjetshëm 21-vjeçarin që një vit më parë mori përsipër ekzekutimin e Kryeministres britanike, Theresa May.
Naimur Zakarija Rrahman, me shtetësi britanike u ndalua nëntorin e vitit të kaluar. Ai kishte rënë pre e një kurthi të ngritur nga shërbimet inteligjente britanike, ato amerikane dhe agjencitë antiterrorizëm të Londrës.
Në kontakt me të riun kishin rënë agjentët e maskuar online të FBI-së. Njëri prej tyre kishte ruajtur një komunikim disamujor me Naimur, duke i mbushur mendjen se ishte një anëtar i ISIS-it dhe rekrutues për llogari të grupit terrorist.
Menjëherë më pas, FBI i ka dërguar gjithë dosjen e 21-vjeçarit MI5, shërbimet inteligjente britanike. Agjentët e kësaj të fundit i janë prezantuar Naimur si fanatikë të ISIS-it, që kishin si mision ndërmarrjen e sulmeve terroriste në Londër.
Mes sulmeve të rreme, ishte edhe ai ndaj planifikuar ndaj Kryeministres britanike, Theresa May. Naimur mori përsipër këtë sulm dhe agjentët e infiltruar të MI5 e pajisën atë me lëndët shpërthyes. Por, lënda shpërthyese ishte gjithashtu e rreme dhe 21-vjeçari u kap me pak momente para se të ndërmerrte aktin.
Naimur pranoi fajësinë para gjykatës, e cila në përfundim e dënoi me burg përjetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.