Analize

Plani i Vuçiç, pas Kosovës “tërmet” në Bosnjë

Serbia nuk do të mjaftohet me ndarjen e Kosovës, por do të inkurajohen të “luftojnë” edhe për serbët e Bosnjës.

Qeveria e Aleksandër Vuçiç ka sabotuar vazhdimisht negociatat me Kosovën lidhur me statusin ndërkombëtar të Prishtinës. Kjo është e dukshme për këdo që ka ndjekur dialogun Beograd-Prishtinë që nga fillimi i tij në vitin 2011. Megjithatë, ajo që është bërë e qartë kohët e fundit është qëndrimi zyrtar i Vuçiç ndaj mosmarrëveshjes me Kosovën. Nëse Serbia nuk është gati të njohë pavarësinë e Kosovës, për hir të anëtarësimit të saj në BE, si planifikon ta zgjidhë ngërçin ndërmjet dy shteteve? Ajo që është diskutuar haptazi në qarqet diplomatike është bërë tanimë strategjia zyrtare e qeverisë serbe: ndarja e Kosovës.

Shoqëria civile, akademikët dhe ish-zyrtarët e kanë bërë të qartë se "korrigjimet kufitare" në Ballkan janë receta perfekte për kaosin dhe trazirat. Nëse kemi mësuar ndonjë gjë nga historia post-osmane, është se "ndarjet etnike” çojnë gjithnjë drejt shpërthimeve të konflikteve. Edhe pse marrëveshja e propozuar e Vuçiç duket se ka të bëjë vetëm me Kosovën, ajo prek në fakt edhe Bosnjë Hercegovinën. Deklaratat e Vuçiç bëjnë të qartë se ai dhe qeveria e tij, sidomos Ministri i tij Jashtëm, Ivica Daçiç, nuk janë të interesuar për "pajtimin" me asnjë prej fqinjëve të Serbisë. Ky nuk është qëndrim i të kaluarës, por politike që po ndjek momentalisht Beogradi. As Vuçiçi e as Daçiçi nuk kanë shprehur ndonjëherë ndonjë pendesë për luftërat e së shkuarës, as për rolin e tyre të drejtpërdrejtë si anëtarë të qeverisë së Millosheviçit dhe për gati 150,000 viktimat që lanë pas në të gjithë rajonin.

Aleksandër Vuçiç dhe Milorad Dodik

Ata vazhdojnë të këmbëngulin se pavarësia e Kosovës është " jo e ligjshme" dhe pretendojnë se Republika Sërbska nuk duhet të jetë pjesë e Bosnje dhe Herzegovinës. Në fakt, sipas Milorad Dodik, bashkëpunëtori i ngushtë i Vuçiçit dhe Presidenti i serbëve të Bosnjës, republika është e destinuar të bëhet pjesë e shtetit serb në shekullin 21. Sipas tij, bashkimi më Beogradin duhet të jetë detyra e vetme e elitës politike serbe në vitet qe do të vijnë. Dodik ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që Vuçiç të përdorë zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kosovës, për rihapjen e statusit të serbëve të Bosnjës, si hapi i parë drejt këtij bashkimi të ardhshëm. Ai e ka bërë këtë kërkesë shpesh në praninë e Vuçiçit, duke shkaktuar jo pak shqetësim në Sarajevë.

"Korrigjimet e kufijve" me Kosovën janë pasuar nga komente “të rrezikshme” nga Daçiç, i cili ka sinjalizuar se Serbia do të vazhdojë të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Bosnjës. Në këto kushte, boshnjakët duhet të kenë parasysh sjelljet e tyre kur protestojnë për politikën serbe ndaj vendit të tyre. Sikur të mos mjaftonte kjo, mediat serbe kanë dalë kohët e fundit me pretendime për persekutimin e serbëve në Mal të Zi. Vuçiç ndërkohë ka bashkëpunuar me partnerët e tij në Kremlin për të penguar qeverinë e Kryeministrit Zoran Zaev për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë. Duket sikur marrëveshja për ndarjen e Kosovës, është vetën hapi i parë i “planit” të Vuçiçit, Dodikut dhe Rusisë, për të rikrijuar rendin jugosllav.

Aleksandër Vuçiç dhe Milorad Dodik

Nëse kufijve e  Kosovës mund të ndryshohen, atëherë edhe Marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë, do të mund të rishqyrtohet. Për elitën nacionaliste në Beograd dhe Banja Luka, statusi serbëve të Bosnjës mbetet "i pazgjidhur", pavarësisht se Serbia mbështeti Marrëveshjen e Dejtonit. Me fjalë të tjera, Republikës Sprska mbetet një territor që duhet fituar. Dhe ambiciet e Serbisë në këtë drejtim nuk janë thjesht retorike. Bashkëpunimi ushtarak i Serbisë me Rusinë, është pranuar dhe dokumentuar zyrtarisht nga të dyja palët. Gjithashtu i dokumentuar është edhe militarizimi i shpejtë i  policisë së Republikës Sprska, lidhja e saj me ushtarakët e trajnuar nga Rusia, si dhe prezenca bazave te dyshimta ruse në Banja Luka, Bosnjë dhe në Nish të Serbisë.

Prandaj do të ishte naive për cilindo në Europë, SHBA, ose në komunitetin ndërkombëtar, të besonte se prapa propozimit për ndryshimin e kufijve të Kosovës, fshihet një qëllim i mirë dhe se Beogradi apo Banja Luka do të mjaftohen me kaq. Nëse Kosova pranon të lëshojë Mitrovicën, Vuçiç, Daçiç dhe Dodik nuk do të qetësohen, por do të inkurajohen. Pas Prishtinës, do ta ketë radhën Bosnjë Hercegovina, vendi më i paqëndrueshëm i rajonit, i mbushur me armë dhe me pakënaqësi të vazhdueshme që nga vitet 1990.  Bosnja do të jetë viktima kryesore e ëndrrave të tyre të dhunuara, edhe pse dhuna që ka të ngjarë të shpërthejë më pas, do të përhapet në të gjithë rajonin.

Armatosja  e serbëve të Bosnjës

Republika Srpska nuk lejohet të ketë ushtrinë e saj, sipas kushteve të marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë në vitin 1995. Por serbët mbajnë forcën e tyre policore, e cila po ndërton një marrëdhënie gjithnjë e më të ngushtë me Moskën.

Policia e Republikës Srpska

Në vitin 2016, gjatë një vizite zyrtare në Banja Luka, një delegacion rus këmbënguli për krijimin e një partneriteti strategjik midis Republikës Serbe dhe policisë ruse për çështjet e inteligjencës, luftës kundër terrorizmit dhe luftës kundër krimit kibernetik. Republika Srpska ra gjithashtu dakord që të strehonte disa oficerë rusë që do stërvitnin policinë e saj dhe të dërgonte anëtarë të njësive speciale serbe në Moskë për t’u trajnuar. Që atëherë, oficerët e inteligjencës ruse (ish-anëtarë të Shërbimit Federal të Sigurisë) japin shpesh leksione në Fakultetin e Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Banja Lukës, i cili shërben si departament për planifikimin e politikave të policisë rajonale.

Ndërkohë, nën pretekstin e antiterrorizmit, Republika Srpska ka forcuar kohët e fundit forcën e saj policore, me ndihmën e Rusisë. Për shembull, Ministria e Punëve të Brendshme të RS-së bleu këtë vit 2500 armë nga Rusia. Autoritetet e Republikës Srpska po hapin gjithashtu një qendër të re trajnimi jashtë Banja Lukës, prej 4 milionë dollarësh. Rusia është angazhuar tashmë për trajnimin e forcave serbe kundër terrorizmit. Qendra do të shërbejë si seli për anti-terrorizmin, njësi logjistike dhe si departament për të luftuar krimin e organizuar.

Po ashtu në Republikën Srpska, po zhvillohet një diskutim i vazhdueshëm për krijimin e një qendre “humanitare” ruse të ngjashme me atë që është vendosur tashmë në qytetin serb të Nishit. Zyrtarisht, qëllimi i tij është të ndihmojë qeverinë lokale në rast fatkeqësie natyrore, siç janë përmbytjet apo zjarret. Por qendra në Nish dyshohet se shërben si një qendër spiunazhi dhe si një bazë ushtarake jozyrtare. Rusia dhe Republika Srpska kanë kultivuar gjithashtu lidhje të ngushta mes organizatave të veteranëve të luftës. Këto organizata janë përfshirë në rekrutimin e vendasve për të udhëtuar në Ukrainën lindore dhe Siri, si luftëtarë të huaj. Zyra e veteranëve të luftës në Banja Luka është gjithashtu e lidhur me një organizatë paraushtarake serbe, udhëheqësit e të cilëve janë trajnuar në Rusi.

Burimet: "Ballkan Insight" , "Foreing Policy":


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë