Me synimin për të sjellë ndryshimin, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi të hënën programin e PD-së për shëndetësinë.
“...Ne angazhohemi që jo vetëm të ulim tarifat në mënyrë të ndjeshme, por edhe që këto para të mos shkojnë në xhepat e atyre që kanë kapur sistemin shëndetësor, por të kthehen përsëri tek ju me një shërbim cilësor dhe dinjitoz si për çdo qytetar Europian”, tha Basha.
Por cilat janë pikat kryesore të planit të PD?
“Pacienti do të vendoset në qendër të sistemit sipas parimit “paraja ndjek pacientin.” Ju vetë do të zgjidhni mjekun e familjes, klinikën, apo spitalin ku doni të kuroheni.
Spitalet publike do të riorganizohen duke dhënë autonomi menaxheriale, për të rritur kujdesin dhe aftësinë për t’ju shërbyer ju sa më mirë.
Në programin tone Shqipëria fiton Shëndetësinë, paga e infermiereve do të behet 700 Euro dhe e mjekëve do te behet 1200 Euro”.
Më tej, Basha shtoi: “Ne do të rrisim numrin e mjekëve dhe do të hapim një fakultet të ri mjekësor në Shqipëri.
Ne do të sigurojmë menjëherë bazën ligjore dhe do të ushtrojmë kontroll të plotë që në Shqipëri të shiten vetëm ilaçe të cilësisë së lartë të standardit të vendeve europiane.
Ilaçet do të rimbursohen sipas diagnozës dhe jo sipas skemës aktuale kufizuese që lë jashtë saj shumë medikamente për njerëzit dhe i detyrojnë ata të paguajnë nga xhepi”.
Ndërsa eksperti i PD-së për shëndetësinë, Gazment Koduzi tha gjithashtu se, “do të motivohen mjekët e rinj të specializohen, duke i paguar të gjithë specializantët me 950 Euro në muaj dhe do të zërohet kuota e studimit prej 115000 Lek te reja në vit”.
Koduzi nënvizoi se në planin e PD-së përfshihet edhe reformimi i Institutit të Shëndetit Publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.