Kryedemokrati Lulzim Basha po synon të arrijë një marrëveshje parazgjedhore me aleatët, para protestës së 16 shkurtit. Aleatët opozitarë kanë mbi tryezë një platformë bashkëpunimi, ku Partia Demokratike, si më e madhe në opozitë ngarkohet të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet me të gjitha partitë nënshkruese të platformës së bashkëpunimit.
Sipas platformes së bashkëpunimit, Partia Demokratike u propozon aleatëve të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhje, të cilat duhet të përgatiten nga një qeveri tranzitore. Pjesë e mandatit të qeverisë tranzitore është edhe realizimi i Reformës Zgjedhore, por në dokument nuk flitet për ndryshimin e sistemit zgjedhor, një kërkesë e vazhdueshme e aleatëve të demokratëve, bën të ditur TCH.
“Deklarojmë se kemi vendosur daljen në një koalicion të bashkuar opozitar në zgjedhjet e ardhshme në vend. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie tranzitore, me mandat të posaçëm për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit; si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje”, thuhet në draftmarrëveshje.
Kryedemokrati ka nisur diskutimin kokë më kokë të kësaj platforme me aleatët. I pari që ngjiti shkallët e selisë blu këtë të hënë ishte kryerepublikani Fatmir Mediu, i cili nuk ndau detaje nga takimi i shkurtër që pati me Bashën. Negociatat nuk duken të lehta, për sa kohë aleatët kanë shprehur qëndrimin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, për të cilin thonë se penalizon partitë e vogla.
Publikisht, republikanët janë shprehur për një sistem proporcional me lista të hapura, ndërsa idenë e ndryshimit të sistemit zgjedhor e kanë mbështetur edhe demokristianët e Nard Ndokës dhe LZHK-ja e Dashamir Shehit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.