Futboll

Plani i FSHF: Kalendar i ngjeshur, mund të luhet edhe për Krishtlindje

Shtyrja e kampionatit ka krijuar një kaos sa i përket axhendës që duhet të hartojë FSHF për vazhdimësinë e aktivitetit. Protesta do të vijojë në të njëjtën formë edhe të dielën me katër çiftet e tjera të javës së katërt të Kategorisë Superiore sipas kalendarit, më konkretisht Kastrioti-Tirana, Laçi-Apolonia, Vllaznia-Kukësi dhe Partizani-Skënderbeu.

Klubet i kanë paraqitur qeverisë disa kërkesa dhe më konkretisht uljen e TVSH-së në masën 6%; faljen e gjobave dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura; efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite; Ligji i sponsorizimeve është tashmë kërkesa kryesore që Liga Profesioniste e futbollit ka ndaj qeverisë. Në relacionin drejtuar kryeministrit Edi Rama propozohet që shoqëritë tregtare të kenë mundësi që deri në 30 përqind të tatimit mbi fitimin ta investojnë në sport.

Deri tani nuk janë zhvilluar 3 javët e para të Superiores dhe në rast se nuk do të ketë akord me qeverinë brenda disa ditësh, futbolli i bie që të mos luhet deri të paktën 15 tetor, pasi datat 10-14 tetor janë data të lira të FIFA-s dhe UEFA-s për ekipet kombëtare.

Objektivi i Uefa që të gjithë federatat të arrijnë të luajnë të gjitha ndeshjet në kalendar brenda muajit maj, mund të shtrëngojë federatën që të zhvillojë ndeshjet edhe në periudhën e pushimeve në fund të dhjetorit, Krishtlindje apo festat e ndërrimit të viteve. Përpos që është diçka e re në futbollin shqiptar, kjo periudhë përkon me një mot me shira dhe ngrica, ku shumë stadiume dalin jashtë funksionit.

Nëse nuk gjendet një zgjidhje përfundimtare, mund të arrihet deri në vendimin ekstrem, atë të bojkotit përfundimtar. Kjo e fundit është gati e pamundur të ndodhë, sepse do të kishte pasoja të rënda nga UEFA, si për klubet, ashtu edhe për vetë FSHF-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë